“Kosova është prioritet absolut”, Hoxha sjell mesazhe të fuqishme nga Tirana
Lajme
Lexohet për: 6 min.
Dëgjoje me zë...
“Kosova është prioritet absolut”, Hoxha sjell mesazhe të fuqishme nga Tirana
13b0148b-ae39-4f06-a407-064aba914098
31/05/2026 - 14:45
Linku u kopjua

Zëvendëskryeministri i Parë në detyrë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, mbajtën një konferencë të përbashkët për media pas takimit të zhvilluar në Prishtinë, ku diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, integrimin euroatlantik dhe zhvillimet politike në rajon.

Konjufca tha se koordinimi i politikës së jashtme ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është ndër proceset më të lehta dhe më natyrale për të dy shtetet.

Ai i ka kërkuar ministrit Hoxha mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësim më të shpejtuar të Kosovës në NATO.

Kurse, sa i përket mbledhjes së dy qeverive, Konjufca tha se qershori ka qen si ide por që tash është koha e zgjedhjeve.

“Qershori ka pasë qenë si njëfarë lloj ideje për atë kohë, nëse po flisni për vizitën e zonjës Spiropali. ​Tash, kjo nuk duhet të humbet si ide, mirëpo me siguri që do ta shtyjmë në momentin që kryhet krejt procedura e legjitimimit të institucioneve të reja, të legjislaturës së re. Legjislatura e re pritet ta nxjerrë qeverinë, qeverinë e re, dhe pastaj të ecim tutje. Por, kjo nënkupoton që korriku dhe gushti pastaj nuk do të jenë aty, e të shohim pastaj shtatorin dhe tetorin nëse do të mund të jenë muaj të përshtatshëm për mbajtjen e mbledhjes së qeverive”, tha ai.

Mbledhjen e përbashkët në mes dy vendeve e komentoi edhe Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë Ferit Hoxha.

Hoxha tha se diskutimet e sotme ishin të sinqerta dhe vëllazërore sepse vetëm ashtu mund të jenë diskutimet në mes tyre.

“Ne në Tiranë, në Shqipëri, nuk do ta thonim kurrë mjaftueshëm. Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Është një dimension i qartë dhe i pandryshueshëm i shtetit shqiptar, i qeverisë shqiptare dhe shtetit shqiptar. ​Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, në lidhje të ndërsjella, të pandashme, sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë ecin krah për krah. Çdo dhimbje e Kosovës ndihet në Shqipëri, ashtu si çdo arritje e Kosovës festohet edhe në Shqipëri. Ramë dakord që dinamika gjeopolitike në rajon dhe në Evropë kërkon një intensifikim të mëtejshëm të koordinimit ndërqeveritar dhe diplomatik. U angazhuam për përgatitjet e takimeve të radhës, takimet ministrore, apo dhe më lart siç do të jetë më e nevojshme, për aktivizimin më funksional të sekretariatit koordinues të mbledhjeve të përbashkëta që kemi bërë, në përcaktimin e qartë të fushave ku duhet të bëjmë më shumë, më shpejt apo të përshpejtojmë. Bashkëpunimi ynë duhet të kthehet më shumë lehtësi dhe më pak burokraci, më shumë në çdo hollësi, zbatimi dhe koordinimi në projekte konkrete, të cilat kanë impakt tek qytetarët”, tha ai.

Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është rruga e duhur drejt një zgjedhjeje të qëndrueshme dhe konsolidimit të paqes afatgjatë mes dy vendeve fqinje.

Megjithatë, nuk harroi as aspektin e sigurisë, ku këroi që përgjegjësit e sulmit terrorisë në Banjska të dalin para drejtësisë.

“Shqipëria nuk do të pranojë e as nuk do të tolerojë ndonjëherë cenimin e sigurisë së qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës dhe do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës. Kam ardhur këtu sot për të transmetuar dhe për të theksuar qartë atë që ka thënë kryeministri Rama, ku shpreh: "Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë", tha ai.

Hoxha ka komentuar edhe një inciativë proserbe për çnjohjen e pavarsisë së Kosovës.

“Kushdo që ende nuk e ka kuptuar që Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm politik, juridik, dhe ndërkombëtar, jeton në një kohë tjetër, sheh ëndrra me sy hapur, dhe do t'i quaja thjesht somnambul politik. Republika e Kosovës përbën një investim të pashlyeshëm, siç e theksova më parë, për paqen, stabilitetin, dhe pajtimin në rajon, për ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës dhe fqinjësisë së mirë mes popujve, aq e nevojshme në rajonin tonë ku kemi akoma punë për të bërë. Kështu që çdo ide, nismë apo përpjekje për të vënë në dyshim këtë realitet, përveçse jorealist, shkon në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit, me gjithë atë që ne kemi injektuar, me gjithë atë që ka injektuar edhe Kosova, edhe Shqipëria, edhe Bashkimi Evropian, dhe të tërë aleatët dhe partnerët tanë, dhe absolutisht kjo gjë nuk do të tolerohet. ​Dhe rajoni ynë ka më shumë nevojë për dialog, për besim, për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, dhe jo rikthim në narrativa që i përkasin një kohe tjetër dhe që nuk kanë asgjë të përbashkët me Evropën e sotme dhe me të ardhmen tonë të përbashkët evropiane. Ne duhet të nxjerrim mësime nga e kaluara, dhe jo ta përsërisim të kaluarën. Dhe siç e thashë edhe më parë, ato janë nisma periferike, por gjithsesi nuk mund të neglizhohen dhe nuk do t'i neglizhojmë. Unë kam biseduar me autoritetet e Malit të Zi, dhe më kanë siguruar që absolutisht në asnjë mënyrë qëndrimi i Malit të Zi, si një vend fqinj, si një vend që e ka njohur Kosovën, si një vend që dëshiron marrëdhënie të mira me Kosovën, nuk do të ndikohet nga thirrje të tilla”, tha ai.

Ai u ndal edhe te zgjedhjet e 7 qeshtorit, duke thënë se shpresojnë që nga zgjedhjet të dalin institucione të Kosovës, pasi ashtu pret Shqipëria dhe miqët.

Pas konferencës, të dy ministrat kanë bërë homazhe tek memoriali heroinat.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026