Komunat e Kosovës po përballen me një barrë të rëndë financiare si pasojë e shkëputjes së Kontratës Kolektive nga Ministria e Arsimit në nëntor të vitit 2022, duke ndikuar kështu të humbin mbi 236 milionë euro përmes proceseve përmbarimore si rrjedhojë e disa vendimeve gjyqësore gjatë tri viteve të fundit.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, vetëm gjatë këtij viti deri në gusht, komunave u janë marrë mbi 73.5 milionë euro, ku më shumë se 40 milionë euro janë marrë nga buxheti për investime kapitale.
Ibrahimi në emisionin e fundit “Shtylla”, prodhim i KosovaPress, nënvizon se si pasojë e këtij presioni financiar, kryetarët e komunave nuk kanë arritur të realizojnë premtimet e tyre nga fushata e vitit 2021.
Ndiqeni emisionin e plotë "Shtylla" këtu:
Ibrahimi kritikon qasjen e nivelit qendror, i cili thekson mungesën e gatishmërisë për të zgjidhur krizën. Sipas tij, zgjidhja do të ishte krijimi i një vije buxhetore të veçantë që do të mbulonte kostot që dalin nga Kontrata Kolektive.
Ai thekson gjithashtu se mungesa e transparencës financiare që po shkakton ky problem, po i penalizon komunat edhe në garimin për grante të performancës, pasi një nga kriteret është raporti i pastër i auditorit.
"Si institucion dhe komunë jemi godit sikur komunat tjera, që e ka dëmtuar në masë të madhe shërbimin në raport me qytetarët. Si komunë deri më tani bazuar në programin që kemi për pjesën e menaxhimit të financave publike që është free balanci që është një program i jashtëzakonshëm tek pjesa e shpenzimit të parasë publike. Kemi rreth 6 milionë e 300 mijë euro të paguara, dhe një listë të pritjes tjetër që ka ardhë javën e kaluar, që na obligon neve për pjesën e pagesës shtesë të kontratës kolektive, një kontratë që është legjitime dhe ju ka takuar me të drejtë të plotë mësimdhënësve përkundër që nuk ka gjet përkrahje nga institucionet përgjegjëse qysh është, Ministria e Arsimit dhe e Financave të cilët nuk e kanë krijuar një linjë buxhetore për pagesën e këtyre obligimeve", thotë ai.
Në nëntorin e vitit 2022, Ministria e Arsimit mori vendim për shkëputjen e kontratës kolektive të nënshkruar mes Ministrisë dhe SBAShK-ut e cila mësimdhënësve u mundësonte mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit, kompensimin e shujtës ushqimore, shpërblimin jubilar dhe përfitime të tjera për punëtorët e arsimit.
Keq nga vendimet gjyqësore pësoi edhe Komuna e Prizrenit, ku deri në fund të gushtit 2025, i janë marrë mbi 9 milionë euro, për dallim nga viti i kaluar kur kjo vlerë ishte mbi 5 milionë euro e gjysmë. Pastaj komuna e Ferizajt, deri në gusht të këtij viti i ka humbur rreth 7 milionë e 750 mijë euro.
Komunës së Prishtinës për tetë muajt e parë të këtij viti, përmbaruesi ia mori mbi 11.5milionë euro. Derisa, në vitin 2024, kjo komunë humbi mbi 10.5 milionë euro . Në vitin 2023 të njëjtës komune i janë marrë mbi 4 milionë e 700 mijë euro, në vitin 2022 mbi 6 milionë e 200 mijë euro.
Po ashtu Komunës së Gjilanit vetëm për tetë muajt e parë të këtij viti përmbaruesi ia mori rreth 6 milionë euro, derisa në vitin 2024 ia mori rreth 7 milionë euro.