Kontrabandë me alkool të koncentruar nga Serbia, Dogana godet rrjetin në Prizren
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Kontrabandë me alkool të koncentruar nga Serbia, Dogana godet rrjetin në Prizren
Dogana e Kosovës ka njoftuar se njësitë antikontrabandë kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme të etanolit (alkool i koncentruar 96%) në rajonin e Prizrenit, në dy raste të ndara operative.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë një kontrolli në terren është ndaluar një automjet transportues, ku janë gjetur 500 litra etanol pa dokumentacion përkatës. Personat e përfshirë nuk kanë mundur të dëshmojnë origjinën e mallit, importin legal apo pagesën e detyrimeve doganore.
Sipas Doganës, pas këtij rasti, njësitë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore dhe kontrolle shtesë në lokacione të dyshuara. Si rezultat, është zbuluar edhe një sasi tjetër prej 500 litrave etanol, e fshehur në garazhin e një shtëpie në të njëjtin rajon.
Në total, janë sekuestruar 1000 litra etanol, për të cilin dyshohet se ka origjinë nga Serbia dhe është futur në qarkullim ilegal me qëllim shmangien e taksave.
Sipas vlerësimeve fiskale, kjo sasi përfaqëson shmangie nga akciza, taksat doganore dhe TVSH-ja në vlerë rreth 6,260 euro, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës dhe duke krijuar konkurrencë të padrejtë në treg.
Rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt hetimore në koordinim me institucionet kompetente, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore ndaj personave të përfshirë.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e tregut të ligjshëm dhe parandalimin e shmangies së obligimeve fiskale, duke njoftuar se operacionet antikontrabandë do të vazhdojnë me intensitet të shtuar në të gjithë vendin.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.