I propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje për president, Glauk Konjufca ka deklaruar se edhe VV-ja dhe ai vetë do të votojnë të propozuarin për president nga partitë opozitare që të mos shkojë vendi në zgjedhje, raporton KosovaPress.
Siç tha ai, do ta votonte edhe presidenten, Vjosa Osmani. Ndërkohë, tha se nëse opozita nuk propozon asnjë emër neutral, sipas tij, ky është një përcaktim i qartë për të shkuar në zgjedhje nga ana e tyre.
“Ishte propozim i Vetëvendosjes edhe tash ecim përpara. Versioni më i mirë është që edhe opozita ta bëjë propozimin e vet. Nëse e propozojnë një emër ndoshta edhe unë e votoj, atë tjetrin në vend meje, po kurrkush nuk po propozon, as PDK, as LDK. Jam shumë kureshtar me ditë kush është ai që ata do ta votonin nëse nuk jam unë. Edhe VV-ja do ta votojë që mos të shkojmë në zgjedhje. Po duhet të nxjerrin një emër ata, me na tregu kush është ai, nëse nuk bën i VV-së. Jam i bindur që nuk do të mund të propozojnë person neutral”, tha Konjufca.
Tutje, Konjufca tha se VV-ja nuk po propozon dy emra për kandidat për arsyeje që të propozoj opozita. Ndërsa, nëse nuk propozohet, do vazhdojnë sipas procedurave.