Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në vazhdën e vizitës zyrtare në Estoni, u prit në takim nga Presidenti i Republikës së Estonisë, Alar Karis, të cilin e njoftoi me situatën politike në vendin tonë, me ç’rast potencoi përkushtimin maksimal të institucioneve të Kosovë ndaj sigurisë, posaçërisht pas sulmit terrorist në Banjskë, me vetëdijen e plotë të rrezikut që influenca ruse në Serbi, përbën për rajonin tonë dhe më gjerë.
Konjufca falënderoi Presidentin Karis për pritjen e ngrohtë dhe i shprehu mirënjohje për mbështetjen e shtetit estonez ndaj Republikës së Kosovës dhe synimeve të saj për integrim në strukturat evropiane e ndërkombëtare.
“Angazhimi për paqen, në kohë si këto, konfirmohet nga gatishmëria për të mbrojtur vlerta tona po aq sa edhe territoret tona, me çdo kusht e me të gjitha mjetet e nevojshme. Kjo është ajo që mbi të gjitha duhet të na sjellë çdoherë e më pranë, gjithnjë e më shumë”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.
Presidenti Estonisë, Karis, pasi potencoi raportet e ngushta që ekzistojnë midis dy vendeve tona, konfirmoi mbështetjen e Talinit zyrtar për Kosovën edhe në të ardhmen.
Konjufca i shprehu homologut estonez mirënjohjen për mbështetjen që Estonia i ka ofruar Republikës së Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe sfidat rajonale. Kreu i Kuvendit tha se me Estoninë Kosovën e bashkon partneriteti strategjik, interesat e përbashkët në shumë sfera, bashkëpunimi i vazhdueshëm, vlerat dhe aspiratat e demokracisë.
Kryetari i Riigikogut të Estonisë, Hussar, konfirmoi se mbështetja e shtetit të tij për Kosovën do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sikundër edhe bashkëpunimi në shumë sfera të interesit reciprok.
Në këtë takim të ngrohtë e miqësor kryetarët Konjufca dhe Hussar diskutuan edhe për situatën politike në Kosovë dhe Estoni, duke theksuar se përveç interesave, të dy shtetet ndajnë edhe rrezikun e një Rusie në kërkim të destabilitetit.
“Aleanca e vendeve demokratike është përgjigjja e vetme ndaj kërcënimit rus, aleatëve dhe satelitëve të saj, ndërsa vendosmëria jonë në vlerat e demokracisë është garancia e palëkundur e të ardhmes së përbashkët të paqes dhe përparimit”, u potencua në takim.