Jemi të gatshëm për një marrëveshje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës për ta zgjedhur presidentin, tha zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Madje ai u shpreh i hapur që në kuadër të kësaj ujdie të negociohet edhe për postin e kryetarit të Kuvendit, që aktualisht e mban Albulena Haxhiu.
Megjithatë, i pyetur nga KosovaPress se a është i pranueshëm Lumir Abdixhiku si kandidat për president nëse propozohet nga LDK, Konjufca tha se “nuk e di”, pasi nuk kanë diskutuar në LVV për këtë çështje, por sipas tij, nëse kërkohet president jopartiak atëherë ai nuk duhet të vijë nga strukturat e larta të partive.
Sipas tij, opozitarët duhet ta propozojnë një emër jopartiak, meqenëse nuk po iu pëlqen emri i tij si kandidat për president nga LVV-ja.
“Nuk e di, nuk kemi fol në këtë dimension, por unë sapo e thash të kundërtën. Tashmë jemi në dy pista. Nëse është politik, LVV-ja ka shkuar me propozimin e vet, megjithëse një propozim që më lypnin edhe për kryeparlamentar dhe tash s’po iu pëlqen mos me qenë president nëse më lypnin për kryeparlamentar. Në anën tjetër është jopartiak dhe nëse është jopartiak ti po thua zoti Abdixhiku. Marrëveshje politike për president partiak deri tash nuk është hapur, më duket. Deri tash është hapur për president jopartiak, nëse është i tillë unë jam dorëheqje prej kandidaturës sime, pasi po gjendet një i të gjithëve. S’po them një person që kurrë nuk është marrë me politikë. Nuk po them një person që kurrë nuk ka votuar askënd. Kemi thënë ose po hyjmë në njërën që është jo partiak. Ky hyrjmë jo partiak nuk mund të themi kryetari i partisë... Nuk është përgjegjësia jonë me propozu emër jopartiak. Ata po thonë nuk bën ky, atëherë nëse nuk bëj unë kush është emri. Nuk kemi, por qysh”, shtoi Konjufca.“Radhën e kanë me u përgjigj partitë opozitare. Kryeministri iu ka shkruar tashmë, jo në mënyrë zyrtare me letër, por ka krijuar relacione të drejtpërdrejta me ta dhe iu ka shkruar vet atyre... Qëllimi nuk është me drejtuar gishtat kundër askujt, por i mbetet popullit me gjyku në zgjedhje se kush i pati fajet dhe kush e pati mirë”, theksoi Konjufca.
I pyetur nëse në marrëveshjen me LDK-në mund të përfshihet edhe posti i kryetarit të Kuvendit që aktualisht mbahet nga LVV-ja, Konjufca tha se janë të gatshëm për çdo lloj zgjidhje.