Një grup dypartiak ligjvënësish amerikanë po kërkon që një takim për sigurinë evropiane i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të mbahet vitin e ardhshëm në Karolinën e Jugut, e jo në Serbi.
Kjo nismë e tyre nxjerr në pah mospajtimet mes republikanëve në Kongresin amerikan, si dhe marrëdhëniet e ndërlikuara të Uashingtonit me Serbinë.
Reuters raportoi se e ka parë një kopje të rezolutës para publikimit të saj.
Çarlstoni dhe Beogradi janë kandidatë për të pritur këtë mbledhje vjetore të shteteve anëtare të OSBE-së nga Evropa, Azia Qendrore dhe Amerika e Veriut, një organizatë që vitet e fundit është përqendruar në menaxhimin e pasojave të pushtimit rus të Ukrainës.Edhe pse ligjvënësit amerikanë në të dyja anët e debatit kanë paraqitur argumente të ndryshme logjistike dhe praktike për vendin që parapëlqejnë, disa prej të cilave kanë pak lidhje me gjeopolitikën, mosmarrëveshja pasqyron gjithashtu një debat më të gjerë në Uashington lidhur me Serbinë, e cila mban marrëdhënie të ngushta si me Moskën, ashtu edhe me administratën Trump.
Disa ligjvënës, të shqetësuar nga lidhjet e thella ekonomike të Beogradit me Rusinë, kanë kërkuar një qasje më kundërshtuese ndaj Serbisë, e cila është blerëse e rëndësishme e energjisë ruse dhe ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër kundërshtarit të Shteteve të Bashkuara.
Ai e kritikoi gjithashtu Serbinë për qëndrimin e saj armiqësor ndaj Kosovës, aleates së Shteteve të Bashkuara, pavarësinë e së cilës Beogradi vazhdon ta kundërshtojë.