Kryeministri Albin Kurti zhvilloi sot një takim virtual me kongresistët nga Grupi për Çështje shqiptare në Kongresin amerikan, Ritchie Torres, Darrell Issa dhe Robert Aderholt, të cilët i falënderoi për avokimin e tyre dhe vlerësoi deklaratat publike në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian.
“Merita të mëdha për suksesin e Kosovës kanë mbështetësit e fortë në Kongresin Amerikan”, tha Kurti, duke shtuar se Kosova ka fatin e mirë që tani ka edhe kongresistët nga Grupi i Çështjeve shqiptare si aleatë në Kongres.
Kongresistët amerikanë ritheksuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë aleat më të madh se Kosova në Evropë, dhe është koha që Kosova të pranohet në NATO.
Ata vlerësuan pozicionimin e Kosovës dhe angazhimin e përbashkët në avancimin e parimeve demokratike. Po ashtu, theksuan domosdoshmërinë e ripërtëritjes së angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’u siguruar që Kosova, shtet mik e aleat i SHBA-së do të marrë trajtim të drejtë.
Kosova 10 vjet më parë aplikoi për t'u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe, por kjo nuk u mundësua për shkak se Forca e Sigurisë së Kosovës kishte statusin e organizatës për ndërhyrje në emergjenca dhe katastrofa natyrore, dhe jo atë të ushtrisë.
Në vitin 2016, Qeveria e Kosovës bëri përpjekje të përsëritur për të forcuar bashkëpunimin me NATO-n, por ishte Spanja, një nga vendet e BE-së që e kundërshtoi atë.
Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ligjin, i cili i shton kompetencat Forcës së Sigurisë së Kosovës për ta shndërruar në ushtri brenda 10 vjetësh, por pa ia ndërruar emrin.
Çdo shtet anëtar i NATO-s e ka të drejtën e vetos brenda organizatës dhe për shkak se katër vende të saj (Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania) nuk e njohin Kosovën, kjo tash për tash e bën të pamundur që Kosovës t'i jepet një plan aksional për anëtarësim, që përcakton hapat e nevojshëm që një vend të bëhet përfundimisht anëtar i plotë i NATO-s.
?