Policia e Kosovës ka konfiskuar 91 kilogram substancë narkotike të llojit marihuanë në fshatin Konushevc të Podujevës. Përmes një aksioni që kanë ndërmarrë dje, zyrtarët policorë kanë arrestuar një person dhe tre të tjerë kanë shpallur në kërkim.
Në një konferencë për medie të enjten, drejtori i anti-drogës në Polici, Reshat Murseli, tha se droga ka ardhur nga Shqipëria dhe destinacion ka pasur fillimisht vendet fqinje dhe më pastaj shtetet evropiane.
“Të dyshuarit që nga afërsia u dyshuan që kishin edhe armë dhe ishin të njohur edhe nga e kaluara e tyre kriminale, nuk kanë përfillur urdhrat policore për ndalje, por kanë rritur intensitetin e lëvizjes me veturë duke kanosur zyrtarët policorë, duke goditur me veturë dhe shkaktuar lëndime të lehta një hetuese dhe dëme materiale veturës së Policisë. Ky moment i kanosjes së drejtpërdrejt të jetës ka bërë që hetuesit të përdorin armë zyrtare me dy shkrepje pa shkaktuar pasoja në njerëz, por vetëm disa dëme materiale. Vetura e dyshuar me targa gjermane është ndaluar rreth dy deri treqind metra larg nga vendi i ngjarjes. I dyshuari braktisë veturën dhe arrin të arratiset në këmbë në drejtim të panjohur... Në kontroll të menjëhershme të veturës dhe kontroll të saj, Policia ka gjetur dhe konfiskuar 34 paketime të ekspozuara para jush me substancë narkotike në peshë 91 kilogram”, tha ai.
Drejtori i anti-drogës tha se pas kontrollimit në shtëpitë e të dyshuarve është arrestuar një person.
Në bazë të hetimeve preliminare, Murseli tha se droga ka origjinën nga Shqipëria dhe ka kaluar përmes Prizrenit në drejtim të Podujevës.
“Hetimet e zhvilluara deri tani flasin se droga ka një orgjinë nga Shqipëria dhe ka kaluar përmes Prizrenit në drejtim të Podujevës me një destinacion në vendet fqinje dhe përmes tyre vendet e BE-së”, shtoi ai.