Numri një i BE-së për zgjerim, Marta Kos, do të vijë sot në Kosovë.
Komisionerja sllovene, ka planifikuar të realizojë tri takime, në Prishtinë.
Njëri nga ta, sipas një agjende të bërë të ditur nga Komisioni Evropian, do të jetë me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
I dyti me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Me këtë të fundit, siç ka marrë vesh KosovaPress, ka paraparë edhe një dalje para medieve, në orën 11 e 30.Vizita e së premtes në Kosovë do të jetë e para për komisioneren për zgjerim në BE, prejse ajo mori detyrën, në vitin 2024. Agjenda e saj nuk parasheh ndonjë vizitë në vendet tjera të rajonit, para ose pas qëndrimit në Prishtinë.
Kos kishte planifikuar një vizitë në Kosovë më 12 mars, por ajo u anulua për shkak të zhvillimeve politike të atyre ditëve - presidentja Vjosa Osmani pati nxjerrë një dekret për shpërndarje të Kuvendit, më 6 mars meqenëse ky organ shtetëror nuk ia doli ta zgjedh kryetarin e shtetit, një ditë me herët, kur ishte afati i fundit për ta bërë një gjë të tillë.
“Nëse nuk e integrojmë fqinjësinë tonë në Bashkimin Evropian në këtë situatë, po ta quaj, të çmendur gjeopolitike, ku për herë të parë kemi forca të jashtme destabilizuese që do të dëshironin të na shihnin të dështojmë në procesin e anëtarësimit, ato mund të ndërhyjnë dhe më pas t’i përdorin ato vende kundër nesh, ashtu siç po bën, për shembull, Rusia në Bjellorusi, duke i përdorur migrantët si armë kundër BE-së”, tha ajo.