Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash deklaroi se situata e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme por e brishtë. Ai tha se 4600 trupa në kuadër të KFOR-it që vijnë nga 28 vende partnere dhe anëtare të NATO-s janë gati t’i përgjigjen çdo lloj sfide.
Gjeneralmajori Ulutash nuk e komentoi kërkesën e pak muajve më parë të kryeministrit Albin Kurti për trupa shtesë por tha se në varësi të situatës mund të rishohin dislokimin e trupave shtesë.
Në lidhje me paralajmërimet e disa agjencive të huaja të inteligjencës për ngritje tensionesh në veriun e Kosovës, komandanti i KFOR-it siguron se janë të gatshëm t’i përgjigjen çfarëdolloj sfide.
“Jemi të pajisur mirë dhe të gatshëm për të trajtuar çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe vazhdojmë të operojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët jemi në koordinim të ngushtë”, theksoi Ulutas.
“Ne monitorojmë nga afër çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë në mbarë Kosovën dhe stabilitetin rajonal. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t'i përgjigjemi çdo sfide që mund të ndodhë, duke rregulluar qëndrimin tonë sipas nevojës dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës, Forcat e Armatosura të Serbisë dhe EULEX-in”, deklaroi komandanti i KFOR.
Komandanti i KFOR-it kërkoi përgjegjësi për aktin terrorist të Banjskës por nuk tha nëse ata vetë kishin ndonjë hetim për ngjarjen.
Gjeneralmajori Utulash, që mori pjesë edhe në stërvitjen e fundit të ushtrisë serbe, tha se e ka të rëndësishëm komunikimin me gjeneralin e Forcave të Armatosura të Serbisë për të identifikuar sinjalet e hershme për ndonjë tension të mundshëm.