Në Bazel, Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, Hassan Moustafa, si dhe me Drejtoreshën Ekzekutive, Amal Khalifa.
Takimi u vlerësua si shumë konstruktiv, ndërsa në fokus ishin çështje kyçe për zhvillimin e mëtejmë të hendbollit në Kosovë. Sipas Kolgecit, një ndër temat kryesore ishte mbështetja infrastrukturore, duke përfshirë sigurimin e dyshemeve sportive dhe mundësinë e ndërtimit të një palestre të mbuluar moderne dhe mundësia e një bashkëpunimi me kompaninë Gerflor për realizimin e projekteve teknike që lidhen me infrastrukturën sportive.
Një tjetër kërkesë e rëndësishme ishte avancimi i gjyqtarëve kosovarë në nivel ndërkombëtar të IHF-së, duke marrë parasysh potencialin dhe angazhimin e tyre.
“E kam paraqitur kërkesën që çiftet e gjyqtarëve kosovarë të hendbollit të avancojnë në nivelin e gjyqtarëve ndërkombëtarë të IHF-së, duke pasur parasysh potencialin dhe angazhimin e tyre” – shtoi Kolgeci.Nga ana e tyre, drejtuesit e IHF-së dhanë sinjale pozitive dhe premtuan mbështetje konkrete për projektet e propozuara. Kolgeci u shpreh optimist se këto iniciativa do të konkretizohen në të ardhmen e afërt.
“Nga diskutimet e zhvilluara kemi marrë sinjale shumë pozitive dhe besojmë se IHF-ja do të ofrojë mbështetje konkrete për këto projekte dhe iniciativa në periudhën e ardhshme. Federata e Hendbollit e Kosovës mbetet e përkushtuar në zhvillimin e hendbollit, infrastrukturës sportive dhe avancimin ndërkombëtar të sportit tonë” – përfundoi presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci.