KOK me marrëveshje katërvjeçare me "VITA S": Mbështetje mjekësore për olimpistët drejt Los Angelos 28
Sport
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
KOK me marrëveshje katërvjeçare me "VITA S": Mbështetje mjekësore për olimpistët drejt Los Angelos 28
image (15)
25/05/2026 - 14:40
Linku u kopjua

Komiteti Olimpik i Kosovës ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në përgatitjet drejt Lojërave Olimpike "Los Angeles 2028".

Në mbledhjen e mbajtur në zyrat e KOK-ut në Prishtinë të përcjellur nga KosovaPress, është zyrtarizuar marrëveshja katërvjeçare e sponsorizimit me poliklinikën ndërkombëtare “VITA S”.

Kjo marrëveshje i garanton sportistëve elitarë kosovarë qasje falas në shërbime moderne diagnostike dhe mjekësore, përfshirë MRI, CT dhe Rentgen. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, menaxheri gjeneral i VITA S, Nebojsha Mojsoski, themeluesi i saj Simon Trpeski, si dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Maqedonisë së Veriut, Daniel Dimevski, i cili ndërmjetësoi këtë bashkëpunim.

Gjatë fjalimit të tij, Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, theksoi rolin e raporteve të shkëlqyera me Komitetin e Maqedonisë së Veriut dhe vuri në pah përfitimet e drejtpërdrejta për sportistët tanë elitarë.

Krasniqi: Mundësi ideale për 34 bursistët tanë që përgatiten për LA28

"Bashkëpunimi i mirë mes dy komiteteve olimpike, të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, e ka bërë të mundshëm edhe këtë marrëveshje sepse kompania VITA S është gjithashtu sponsor në Komitetin Olimpik të Maqedonisë së Veriut. E falënderoj presidentin që e ka bërë të mundur që edhe KOK-u i Kosovës tash të ketë sponsor VITA S-in. Ky sponsorizim është shumë i rëndësishëm për KOK-un e Kosovës, e në veçanti për 34 bursistët tanë që përgatiten për Lojërat Olimpike LA28. Të gjithë këta bursistë do të kenë mundësinë ideale të kontrollohen dhe t'i bëjnë analizat e përgjithshme në një poliklinikë siç është VITA S."

Menaxheri gjeneral i poliklinikës, Nebojsha Mojsoski, shprehu admirimin e tij për mikpritjen në Prishtinë dhe vizionin e KOK-ut, duke premtuar se të gjitha kapacitetet mjekësore do të vihen në shërbim të kampionëve kosovarë.

Mojsoski: Ne jemi të gjithë të njëjtë, duam të shohim sukses

"Jemi shumë të lumtur dhe shumë të privilegjuar të jemi partnerë dhe sponsorë të delegacionit olimpik të Kosovës për LA 28, i cili do të sjellë shumë suksese për vendin tuaj, për vendin tonë dhe për institucionin tonë. Ne jemi të gjithë të njëjtë, duam të shohim sukses, duam të bëjmë tifo dhe duam të rrugëtojmë së bashku me tifozët dhe sportistët tanë, për të arritur suksese të mëdha për ju, për ne dhe për të gjithë."

Në emër të palës ndërmjetësuese, Presidenti i Komitetit Olimpik të Maqedonisë së Veriut, Daniel Dimevski, vlerësoi lart partneritetin duke u shprehur se shëndeti i sportistëve është themeli drejt sukseseve të reja ndërkombëtare.

Dimevski: Partneriteti na ofron privilegjet e shteteve perëndimore për rezultate kulmore

"Ne jemi fqinj, jemi miq shumë të mirë dhe jam i sigurt se ky partneritet do të sjellë shumë gjëra të mira, interesimi është jashtëzakonisht i madh sepse 'VITA S' posedon pajisjet më moderne, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por në mbarë rajonin. Ata kanë pajisjet dhe mjekët më të mirë për të punuar me sportistët. Mendoj se me këtë partneritet, tani jemi gati për rezultatet më të mira. Deri më tani, shtetet perëndimore e kanë pasur këtë privilegj, por tani e kemi edhe ne. Prandaj, jemi vërtet të lumtur që po e ndajmë këtë partneritet me ju."

Me këtë bashkëpunim dhe me mbulimin e plotë mjekësor të siguruar, 34 bursistët olimpikë të Kosovës tani do ta kenë qetësinë dhe komoditetin që të fokusohen plotësisht te performanca e tyre fizike dhe arritja e rezultateve maksimale, në rrugëtimin e tyre drejt Lojërave Olimpike "Los Angeles 2028".

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026