Kodraliu: Dënimi i Jelena Gjukanoviq, mesazh i qartë se askush nuk do të jetë mbi ligjin
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Kodraliu: Dënimi i Jelena Gjukanoviq, mesazh i qartë se askush nuk do të jetë mbi ligjin
Jelena Gjukanoviq
27/04/2026 - 14:20
Linku u kopjua

Prokurori i rastit të Jelena Gjukanoviq, Bekim Kodraliu tha se dënimi i saj prej gjashtë vitesh,  për veprën penale spiunazhi është një mesazh i qartë se askush nuk do të jetë mbi ligjin.

Kodraliu tha se do të ndërmerren masa konkrete në ndjekjen dhe hetimin e të gjithë kryerësve të veprës penale spiunazhi.

Kodraliu gjatë gjykimit kishte kërkuar që e akuzuara për spiunazh Gjukanoviq të dënohet me 25 vite. I pyetur për dënimin prej gjashtë vitesh, ai tha se do të analizohet dhe vlerësohet aktgjykimi.

“Prokuroria Speciale ka bashkëpunuar në koordinim të ngushtë me institucionet e sigurisë, me Policinë e Kosovës, departamentin kundër terrorizmit, e në veçanti edhe me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, kemi siguruar prova konkrete dhe të mjaftueshme me të cilat, u vërtetua se e pandehura Gjukanoviq, ka kryer aktivitet të kundërligjshëm, i cili ka ndihmuar agjencinë sekret serb BIA në implementimin e narratives së tyre në të dhënë të interesave të Kosovës. Nga këtu dërgojmë një mesazh të qartë se askush nuk do të jetë mbi ligjin, ne do të ndërmarrim të gjitha masat konkrete, në ndjekjen dhe hetimin e të gjithë kryerësve të këtyre veprave penale të cilat cenojnë rendin juridik kushtetues, sigurinë kombëtare dhe jetën e qytetarëve e zyrtarëve të Kosovës.. Ne do të pranojmë aktgjykimin e Gjykatës dhe pas analizimit do të vlerësojmë në lidhje me dënueshmerinë e gjykatës”, tha Kodraliu.

Ndërkohë, avokati i Gjukanoviq, Predrag Mikoviq tha se do të ankohen deri në Gjykatë Kushtetuese për cenimin e të drejtës së privatësisë për kontrollimin e telefonit të së akuzuarës.

Në anën tjetër, Mikoviq shtoi se faktet e tjera nuk japin dyshim kualitativ se Gjukanoviq kreu veprën penale spiunazhi.

Sipas tij, ky aktgjykim nuk do të mbijetojë.

“Vendosi se kontrolli i telefonave mund të përdoren si provë ligjore edhe pse nuk pati urdhër të gjyqit për kontrollim të telefonit. Ne do të ankohemi kundër këtij vendimi dhe do të luftojmë deri në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk do të dorëzohemi në këtë luftë. Bëhet fjalë për të drejtat e privatësisë që garantohen me kushtetutë për çdo qyte tar. Paramendojeni sikur dikush sot t’ua marrë juve telefonin, a do t’u vinte mirë që ai të kontrollohet pa urdhër të gjykatës? Pikërisht kjo ndodhi këtu. Nga ana tjetër, vlerësoj se edhe faktet tjera nuk japim asnjë dyshim kualitativ se ajo kreu atë vepër penale për të cilën akuzohet. Siç keni dëgjuar, kishte shumë pak gjykime, vetëm dy seanca dhe në të parën analizuam ato dëshmi dhe për to do të flasim më shumë në detaje në ankesë, se çfarë mendojmë për to, sepse nuk dua të zgjatem këtu më tepër. Për fund, do të ankohemi dhe e di se ky aktgjykim nuk do të mbijetojë”, tha Mikoviq.

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me 6 vjet Jelena Gjukanoviq zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë e cila akuzohet për spiunazh.

Sipasprokurorisë, rasti lidhet me veprimtari që rrezikojnë rendin kushtetues dhe sigurinë shtetërore. /A. Shala/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026