Knaus: Sulmi në veri, përpjekje e Serbisë për të ndryshuar kufijtë me forcë
Kryetari i Nismës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, e sheh sulmin terrorist serb të 24 shtatorit në veri të Kosovës, si përpjekje e Serbisë për të ndryshuar kufijtë me forcë dhe si pjesë të një përgatitjeje, të përcjellë me retorikë nxitëse dhe armatosje, për një konfrontim të armatosur.
Ai thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se zhvillimet në Ballkanin Perëndimor duhet të jenë kambanë alarmi për Bashkimin Evropian që të rishikojë politikën ndaj rajonit, përfshirë edhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij është shndërruar në problem dhe jo në zgjidhje.
“Ajo që dimë është se që politikani kryesor, më me ndikim, i zgjedhur dhe që përfaqëson interesat e Presidentit të Serbisë në Kosovë, Radoiçiç udhëhoqi këtë sulm. Ai është parë në kamera dhe deklaroi përmes avokatit të tij se ishte i përfshirë. Ndaj tij është ngritur akuza, ndonëse u lirua menjëherë, në Serbi. Pra, e dimë që nuk bëhet fjalë për një grup qytetarësh të dëshpëruar, por bëhet fjalë për udhëheqjen e partisë kryesore, që në thelb është degë e partisë së Presidentit Vuçiq, në Kosovë. Po ashtu e dimë që pajisjet e tyre nuk janë pajisje që mund t’i blesh në dyqan. Këto janë pajisje ushtarake.”, ka thënë Knaus.