KMP-ja me rregullore të re për fushatën zgjedhore, kërkohet balancim medial
Lajme
Lexohet për: 3 min.
462567662_1754717585294078_3949423337776198320_n
6 ditë më parë
Linku u kopjua

Komisioni i Pavarur i Mediave në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, ka organizuar tryezë me përfaqësues të institucioneve, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile rreth obligimeve, përgjegjësive e sfidave të mediave gjatë zgjedhjeve. Aty u kërkua nga mediat që të jenë të balancuara dhe t’iu japin hapësirë të barabartë të gjitha subjekteve politike të certifikuara për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kryetari i Komisionit të Pavarur për Media, Jeton Mehmeti, tha se Ligji për Zgjedhjet kërkon nga mediat të paraqesin në mënyrë të drejt dhe të paanshme  të gjitha subjektet politike të certifikuara.

Përkitazi me këtë, ai tha se KMP-ja ka hartuar një rregullore të re, ku i mundëson mediave të kenë më të lehtë dhe të qartë obligimet e veta gjatë fushatës zgjedhore.

“Ligji kërkon nga vet mediat që të sigurojnë që të gjitha subjektet politike të certifikuara përfaqësohen në mënyrë të drejtë dhe të paanshme në emisionet gjatë fushatave zgjedhore. Mbikëqyrjen e zbatimit të këtij obligimi ligjor e ka KMP-ja, duke kërkuar që të nxjerr një udhëzues që siguron kushte të barabarta dhe mosdiskriminuese për qasje në kohën e reklamimit, shpalosjen e çmimit të hapësirës reklamuese që i vihet në dispozicion partive politike... KMP-ja ka iniciuar hartimin një rregullore të re për sjelljen e mediave gjatë fushatës zgjedhore. Qëllimi i kësaj rregullore është fillimisht përmbledhja e të gjitha dispozitave ligjore në një vend, në mënyrë që mediat të kenë më të lehtë dhe më të qartë për obligimet e veta gjatë fushatës zgjedhore. Qëllimi i dytë është që të vendosen specifikacione për obligimet që janë lënë në kompetencë KMP-së dhe në theks të veçantë në vendosjen e kufirit, sasinë e kohës që transmetuesi mund t’ia shesë secilit subjekt politik”, tha ai.

Ndërkaq, drejtoresha e departamentit për demokraci në OSBE, Pascale Roussy, tha se është e domosdoshme që gjatë fushatës zgjedhore të 9 shkurtit të ketë një mbulim të balancuar medial për të gjitha subjektet politike.

Pjesë e kësaj tryeze ishte edhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili tha se ky institucion për herë të parë do të monitorojë organizimin e takimeve të partive politike, për veprimtarit e fushatës së zgjedhjeve dhe atyre reklamuese.

Në anën tjetër, komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva, tha se gjatë fushatës zgjedhore është e rëndësishme respektimi i privatësisë i qytetarëve.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, do të fillojë me 11 janar./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024