Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka potencuar se Kosova duhet të nxjerrë mësime nga përvojat e mira të shteteve tjera dhe ta ketë Ligjin për Amnesti.
Sipas KMDLNj-së, Ministria e Drejtësisë nuk e ka mundësinë ligjore të propozojë një ligj të tillë.
“Me kërkesë të Shërbimit shëndetësorë të Shërbimit Korrektues të Kosovës, adresohen këto raste te Gjykatat kompetente, të argumentuara mirë por që gjykatat thuaja në asnjë rast nuk i marrin në shqyrtim duke e bërë më të rëndë punën e SHKK si dhe duke e përkeqësuar shëndetin e të privuarve nga liria, jeta e të cilëve më nuk llogaritet me muaj por me javë apo ditë. Si pasojë e mungesës së mëshirës së shtetit ndaj të privuarve nga liria të cilët sipas ligjeve në fuqi në Kosovë nuk përjashtohen nga falja, në institucionet korrektuese dhe të paraburgimit në Kosovë është rritur numri e vetvrasjeve apo vetlëndimeve”.
Ky këshill thekson se e ka të qartë se disa vepra nuk mund të falen dhe ndaj kryerësve të tyre shteti duhet të jetë i vendosur por sipas KMDLNj-së “në anën tjetër ka shumë raste që meritojnë të falen, qoftë duke i liruar apo duke ua shkurtuar dënimin”.