Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar atë për neglizhencë ndaj pensionistëve dhe kategorive më të ndjeshme të shoqërisë.
Në reagimin e tij, KMDLNJ vlerëson se ekzekutivi po ndan mjete buxhetore për kategori të ndryshme, ndërsa, sipas tyre, pensionistët, përfituesit e skemave sociale, veteranët dhe invalidët e luftës po përballen me vështirësi serioze për mbijetesë.
KMDLNJ ka kritikuar gjithashtu vendimin për ndarjen e pagesës së 13-të për shërbyesit civil dhe mbështetjen financiare prej 500 mijë eurosh për futbollistët e Kombëtares së Kosovës, duke thënë se këto masa nuk kanë prekur shtresat më të rrezikuara të shoqërisë.
KMDLNJ vlerëson se Qeveria ka dështuar të mbrojë të drejtat e njeriut për grupet më të cenueshme dhe më kontributdhënëse të shoqërisë, duke ua mohuar, sipas tyre, një jetë të dinjitetshme përmes pensioneve dhe pagesave të arsyeshme.
Në fund, KMDLNJ thekson se në vendet e rajonit pensionet dhe skemat sociale janë rritur disa herë, ndërsa në Kosovë, sipas tyre, ka pasur vetëm improvizime dhe manipulime pa efekt real për qytetarët në nevojë.