Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u premton qytetarëve miliona euro për të mbetur në pushtet dhe planifikon të largohet nga pozita e presidentit të shtetit, vetëm për t'u rikthyer si kryeministër dhe për të vazhduar qeverisjen sipas shembullit të idhullit të tij, presidentit rus Vladimir Putin, shkruan sot gazeta zvicerane Tagesanzeiger.
E përditshmja shkruan se Vuçiq ka premtuar pagesa të njëhershme për pensionistët, përfituesit e ndihmës sociale dhe të "ashtuquajturit veteranë të luftës, të cilët gjatë luftërave të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë u kanë shkaktuar shumë të këqija popujve të tjerë".
Gazeta zvicerane transmeton paralajmërimin e mjegullt të Vuçiqit se së shpejti do të largohet nga funksioni i kreut të shtetit, por gjithashtu vlerëson se fuqia shkon gjithmonë aty ku ulet Vuçiqi.
Kjo, siç shkruan gazeta, u dëshmua edhe "midis viteve 2014 dhe 2017, kur ish-ultranacionalisti me aftësi të kameleonit politik ishte shef i qeverisë".
Nëse partia e Vuçiqit fiton dhe i mundëson atij të marrë postin e kryeministrit, në vend të presidentit do të vendosë ndonjë pasues besnik, i cili aty do të kryejë vetëm detyra ceremoniale.