Klopp mbron Van Dijk pas kritikave
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Klopp mbron Van Dijk pas kritikave
New Project - 2026-06-21T120337.523
21/06/2026 - 14:05
Linku u kopjua

Ish-trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka ndezur një debat të ashpër publik me ish-mesfushorin e Tottenhamit, Rafael van der Vaart, duke dalë në mbrojtje të ish-kapitenit të tij, Virgil van Dijk.

Përplasja nisi pasi Van der Vaart, i cili po punon si analist për televizionin holandez NOS gjatë Botërorit, kritikoi ashpër lëvizjet e Van Dijkut në barazimin e Holandës ndaj Japonisë.

"Më duhet të them sinqerisht se u trondita pak nga Van Dijk. Ato lëvizje... ishte pak si një Boeing 747", deklaroi Van der Vaart, duke shtuar se shpresonte që mbrojtësi të vraponte më shpejt në vazhdim të turneut.

I ftuar në një televizion gjerman të shtunën, Klopp nuk ka hezituar t'i kundërpërgjigjet holandezit, duke i quajtur analizat e tij të parëndësishme.

"Nuk e di nëse ia vlen fare t'i përmendet emri Rafael van der Vaartit. Por, nëse ai thotë ndonjëherë diçka pozitive për ndonjë lojtar, unë jam i gatshëm ta marr sërish seriozisht. Krijon përshtypjen sikur ai sheh diçka të thjeshtë, por mundohet ta zmadhojë e ta thotë me fjalë të bukura e me metafora vetëm për të kritikuar. Sidoqoftë, mendimi i tij nuk është aq i rëndësishëm", u shpreh Klopp sipas raportimit të Daily Mail.

Van Dijk ka luajtur nën urdhrat e Kloppit te Liverpooli për gjashtë vite, periudhë gjatë së cilës fituan tetë trofe të mëdhenj.

Përveç këtij debati, Daily Mail raporton se Van der Vaart u përfshi në polemika të mëdha racizmi gjatë të njëjtit emision, pasi deklaroi në transmetim direkt se lojtarët e Japonisë "duken të gjithë njësoj", për çka më vonë kërkoi falje duke thënë se nuk kishte qëllim të diskriminonte askënd.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026