Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Ai ka listuar banesën e tij në vlerë rreth 61 mijë euro, banesën e prindërve në vlerë 44 mijë euro, banesë tjetër të prindërve në vlerë 92 mijë euro, shtëpinë e prindërve 45 mijë euro. Po ashtu ka listuar tri toka në pronësi të prindërve që bashkë kushtojnë mbi 60 mijë euro, një parking 6 mijë euro dhe një depo 500 euro. Konjufca te pasuritë e luajtshme ka përmendur veturën e bashkëshortes në vlerë tre mijë euro.
Ai ka deklaruar 3 mijë e 510 euro si kursime nga të ardhurat personale dhe 5 mijë e 594 euro si shumë e akumuluar nga pagat e marra. Ai ka bërë të ditur se ka një kredi për blerjen e banesës - 61 mijë e 424 euro, ku vlerë e mbetur janë 33 mijë e 607 euro. Ndryshe, Konjufca merr pagë vjetore 27.555 euro, derisa 3.589 euro ka deklaruar se i merr në formë të mëditjeve për udhëtime zyrtare jashtë vendit.