Kjo është federata sportive në Kosovë ku nuk paguhet askush
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Kjo është federata sportive në Kosovë ku nuk paguhet askush
23/06/2026 - 15:56
Linku u kopjua
Ndonëse bëhet fjalë për një federatë sportive që përfaqëson Kosovën në gara ndërkombëtare, askush në Federatën e Ragbit të Kosovës nuk merr pagë për punën që bën. Nga drejtuesit e deri te stafi organizativ, aktiviteti i federatës mbështetet tërësisht në angazhimin vullnetar, ndërsa sfidat financiare vazhdojnë të jenë ndër pengesat kryesore për zhvillimin e këtij sporti.
Kështu ka bërë të ditur Elton Rexhepi nga kjo federatë, në emisionin SportCast, ku ka treguar se presidenti, sekretari, anëtarët e bordit dhe pjesa tjetër e strukturave të federatës punojnë pa kompensim financiar.
“Financiarisht nuk paguhet askush nga federata, aktualisht nuk paguhet askush nga federata. Grupi i vogël që jemi, jemi krejt vullnetarë e bëjmë për të mirë të sportit dhe për me rritë sportin. E bën shumë më të vështirë po për fillim unë mendoj që është më mirë. Unë mendoj që është më mirë edhe vjen koha kur edhe ka me u pagu dikush, po për momentin qoftë lojtarët qoftë anëtarët e bordit qoftë presidenti qoftë sekretari krejt punë vullnetare bëjmë. Nganjëherë humbim edhe punën tonë aktuale që e kemi për me rritë ragbin. Shumica e mjeteve shkojnë në logjistikë, në transport. Siç e dimë tash nëse e kemi një lojë në Austri duhet të udhëtojmë 30 persona, edhe e kemi të vështirë. Ne kemi qenë duke kërkuar t’i ulim shpenzimet, të shkojmë me autobus. Gjë që është pak më e vështirë edhe për lojtarë pastaj, të udhëtojnë 15 orë, 20 orë me autobus. Po normal, buxheti është i mjaftueshëm vetëm për kaq, po janë edhe disa rregullore që nuk ke të drejtë më shumë se dy anëtarë, nëse s'gaboj, nga ministria të pagune. Po normal vjen koha edhe për këtë pjesë, besoj”, theksoi Rexhepi në SportCast.
Ragbi është një nga sportet më të reja në Kosovë dhe vazhdon të zhvillohet gradualisht përmes aktiviteteve të Federatës së Ragbit të Kosovës. Pavarësisht burimeve të kufizuara financiare, federata ka arritur të organizojë gara vendore dhe të përfaqësojë vendin në arenën ndërkombëtare, duke synuar zgjerimin e bazës së lojtarëve dhe rritjen e popullaritetit të këtij sporti në vitet e ardhshme.