“Kishte probleme me frymëmarrje” - Kryetari i KF Dukagjinit flet për vdekjen e futbollistit Bajram Rragamaj
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
“Kishte probleme me frymëmarrje” - Kryetari i KF Dukagjinit flet për vdekjen e futbollistit Bajram Rragamaj
Rragamaj
15/06/2026 - 14:56
Linku u kopjua

Klubi i futbollit Dukagjini ka njoftuar me pikëllim të madh ndarjen nga jeta të futbollistit Bajram Rragamaj, duke e cilësuar humbjen e tij si një goditje të rëndë për klubin, familjen dhe komunitetin sportiv.

Në njoftimin e klubit thuhet se Rragamaj do të kujtohet për kontributin, përkushtimin dhe dashurinë që kishte për futbollin dhe fanellën e Dukagjinit. Klubi u ka shprehur ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të tij në këto momente të vështira.

Për humbjen e futbollistit ka folur për KosovaPress kryetari i KF Dukagjinit, Pren Kolaj, i cili e kujtoi Rragamajn si një futbollist të talentuar dhe një person me vlera të larta njerëzore.

“BaJrami ka qenë që tre-katër vite lojtar i KF "Dukagjini". Ka qenë jo vetëm futbollist i mirë, por ka qenë edhe një djalë i shkëlqyer. Kështu që na vjen keq kjo se në moshë shumë të re na ndodhi, papritmas, edhe pse nuk e kemi pritur. Ne kemi pritur që ky ka pasur ambicie që të luajë në një klub edhe më të madh, në Ligë të Parë apo në Superligë, edhe të vazhdojë karrierën, por që fati e deshi që ky të na ndahet shumë herët”, u shpreh fillimisht Kolaj.

Ai bëri të ditur se futbollisti kishte shfaqur më herët shqetësime shëndetësore, kryesisht me frymëmarrjen, gjë që fillimisht ishte menduar se lidhej me një gjendje gripale.

“Një apo dy herë ka shprehur shqetësim, me frymëmarrje ka pasur problem, edhe të gjithë kemi menduar se është ndonjë grip. Kështu që është larguar prej lojës në fund dhe nuk ka luajtur më. Në gjysmë loje ka pasur pak probleme, e ka vazhduar lojën, pas loje tha: "Nuk jam duke u ndier mirë, diçka me frymëmarrje". I thashë: ‘Atëherë është mirë që ta bësh një vizitë diku’. Ka shkuar te mjeku edhe prej aty më ai nuk ka mundur të luajë për shkak se i kanë paraqitur probleme në mushkëri, në veshkë”, bëri të ditur Kolaj.

Kryetari i klubit tregoi gjithashtu se ishte takuar me Bajramin rreth dhjetë ditë para se ai të ndërronte jetë dhe se futbollisti kishte shfaqur optimizëm për përballimin e sëmundjes.

“Unë me të jam takuar para diku 10 ditëve, kam biseduar me të, e kam thirrur, kemi dalë, kemi pirë nga një kafe, aty në fshatin e tij, në Skivjan. Kështu që ka pasur shumë energji pozitive, saqë unë kam shpresuar se do ta kalojë. Kishte një bindje që ka për ta kaluar, edhe pse e ka ditur, e ka ditur diagnozën që ia kanë dhënë ata në spital”, theksoi Kolaj në fund.

Ndarja nga jeta e Bajram Rragamajt ka tronditur familjen sportive të Dukagjinit dhe futbollin kosovar.

KosovaPress


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026