Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, konfirmoi se e ka autorizuar Forcën e Sigurisë së Kosovës të dislokojë ekipe të kërkim-shpëtimit në Liqenin e Ujmanit. Autorizimin, siç thuhet në njoftim, e ka dhënë komandanti Enrico Barduani.
KFOR-i tha se autorizimi është dhënë për arsye humanitare dhe se operacioni zhvillohet nën kushte specifike të vendosura nga ky mision - i cili gjithashtu do të ofrojë siguri gjatë gjithë operacionit.
Njësitë e specializuara për kërkim-shpëtim të Forcës së Sigurisë së Kosovës po zhvillojnë operacion për gjetjen e një personi që dyshohet të jetë mbytur të dielën, më 27 korrik, në Liqenin e Ujmanit. Bëhet fjalë për një 33 vjeçar që u raportua se kërceu nga ura.
Kërkimi deri më tash është zhvilluar vetëm nga Policia e Kosovës dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim. FSK-ja iu bashkua ekipeve në ditën e tretë të kërkimeve. Kjo u bë vetëm pas një bashkërendimi me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Ujmani ndodhet në Zubin Potok – një prej katër komunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se më herët të martën se pjesëtarët e FSK-së janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile në këtë rast.
Forca e Sigurisë së Kosovës është duke e zhvilluar transformimin në ushtri, proces ky që pritet të përfundojë deri në vitin 2028.
https://kosovapress.com/rama-tregon-rastet-kur-fsk-ja-operoi-ne-veri-eshte-obligim-ligjor-e-human