Ish-komandanti i FSK-së tregon rastet kur operuan në veri
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Ish-komandanti i FSK-së tregon rastet kur operuan në veri
Rrahman Rama
29/07/2025 - 11:44
Linku u kopjua

Njësitë e specializuara për kërkim-shpëtim të Forcës së Sigurisë së Kosovës po zhvillojnë operacion për gjetjen e një personi që dyshohet të jetë mbytur të dielën, më 27 korrik, në Liqenin e Ujmanit. Bëhet fjalë për një 33 vjeçar që u raportua se kërceu nga ura.

Kërkimi deri më tash është zhvilluar vetëm nga Policia e Kosovës dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim. FSK-ja iu bashkua ekipeve në ditën e tretë të kërkimeve. Kjo u bë vetëm pas një bashkërendimi me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Dislokimi i trupave të FSK-së në veriun e banuar me shumicë serbe mund të bëhet vetëm me pëlqim paraprak të KFOR-it, në bazë të një zotimi që është bërë në vitin 2013 nga Qeveria e Kosovës dhe NATO.

Ujmani ndodhet në Zubin Potok – një prej katër komunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Por, ish-komandanti i Forcës, Rrahman Rama kujton se kjo nuk është hera e parë që trupat e FSK-së shkelin në veriun e vendit për të kryer një operacion. Në një deklaratë për KosovaPress, Rama përmend tri raste të tilla – në kohën sa ai mbante uniformën ushtarake.

Kemi qenë në 2014-ën në korrik, dhe në 2016-ën në pjesën në lumin Ibër të Zveçanit, dhe në deminim kemi qenë 2019-ën bashkërisht me KFOR-in... Kanë qenë operacione të kërkim-shpëtimit, operacioni i parë 2014-ën nëse ju kujtohet dy barka patën bërë ndeshje në liqe, rreth 4 serbë të rinj janë mbytur aty, më 15 korrik ka fillu, deri më 18 korrik kemi bërë kërkim shpëtim në liqenin e Ujmanit, e kemi pastaj 2016-ën, bashkërisht me KFOR-in, në lumin Ibër ku kemi gjetur një trup pajetë të një serbi, në komunën e Zveçanit”, thotë Rama.

Rrahman Rama thekson se FSK-ja e ka obligim ligjor e human të zhvillojë operacione të tilla, derisa përmend se Forca i ka njësitë e specializuara për kërkim-shpëtim, ndër më të mirat në rajon.

Kjo është e zakonshme dhe patjetër që FSK-ja është në shërbim të qytetarëve, është obligim ligjor dhe moral”, thotë ai.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se më herët të martën se pjesëtarët e FSK-së janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile në këtë  rast.

“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe ti lehtësohet dhimbja familjes’" shkroi Maqedonci në Facebook.

Pasi pjesëtarët e FSK-së mbërritën në veri, Lëvizja Vetëvendosje, kryetar i së cilës është kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shkroi në Facebook “FSK për herë të parë si ushtri në veri të vendit”, ndërsa e shpërndau reagimin e Maqedoncit.

Në vitin 2013 Kosova ishte angazhuar, përmes një letre nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, drejtuar NATO-s, që FSK-ja dislokohet në veri vetëm me pëlqim paraprak të KFOR-it.

Ekziston një marrëveshje, e dimë të gjithë, mund të bëjmë politikë gjithë ditën, e dijmë edhe misioni ne KFOR-it, ekziston një marrëveshje, në bashkëkordinim, është normale, edhe ata janë në shërbim të qytetarëve këtu, pa dallim”, thotë ish-komandanti i FSK-së, Rrahman Rama.

Forca e Sigurisë së Kosovës është duke e zhvilluar transformimin në ushtri, proces ky që pritet të përfundojë deri në vitin 2028.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026