Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dënon me vendosmëri deklaratat e fundit të një ministreje të Qeverisë së Serbisë, të cilat rikthejnë në diskurs koncepte që lidhen me spastrimin etnik të shqiptarëve. Kjo retorikë bie ndesh me vlerat evropiane dhe rrezikon stabilitetin rajonal.
Në reagimin e Këshillit, thuhet se këto deklarata pasojnë një sërë qëndrimesh që relativizojnë politikat e së kaluarës dhe ngrenë shqetësime se Serbia nuk është distancuar plotësisht nga ideologjia që solli luftëra dhe krime në ish‑Jugosllavi.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë rithekson se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Shqipëria duhet të reagojë përmes një demarshi diplomatik ndaj ambasadës serbe ne Tiranë dhe, në koordinim me Kosovën, ta ngrejë çështjen pranë BE-së, NATO-s dhe partnerëve strategjikë.
Bashkimi Evropian ka dënuar të martën deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.