BE-ja dënon deklaratën e ministres serbe për "spastrimin etnik" të Kosovës
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
BE-ja dënon deklaratën e ministres serbe për "spastrimin etnik" të Kosovës
flamuri i beee-se
14/07/2026 - 14:53
Linku u kopjua

Bashkimi Evropian ka dënuar të martën deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Në konferencën për media, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja nuk komenton deklarata individuale, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.

“Deklaratat e tilla janë në kundërshtim me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimin, llogaridhënien dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat është ndërtuar BE-ja. Ato shkojnë edhe kundër obligimeve që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE për normalizimin e raporteve me Kosovën. Pra, ne presim nga të gjithë liderët që të përmbahen nga çfarëdo retorike nxitëse dhe të japin kontribut për një ambient të besimit dhe stabilitetit në rajon”, ka thënë ajo, transmeton KosovaPress.

Siç raportoi KosovaPress, Paunoviq ka deklaruar të shtunën për televizionin serb “Kurir” se po të kishte pasur lirinë e veprimit që kishte Slobodan Milosheviq, në vitin 1999, do ta kishte "spastruar etnikisht Kosovën".  

Deklaratat e saj kanë nxitur reagime edhe në Kosovë, Shqipëri dhe në Serbi.

Lexo edhe:

https://kosovapress.com/article?id=742651

Ministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Andin Hoti, ka reaguar duke e krahasuar atë me ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, dhe duke thënë se çdo tentativë për spastrim etnik në Kosovë do të kishte të njëjtin përfundim.

Ai ka theksuar se përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike është e njohur.

“Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë... Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas tij, kushdo që bën thirrje për spastrim etnik nuk përbën vetëm kërcënim për Kosovën, por dëshmon se Serbia ende nuk është shkëputur nga, siç e quan ai, "ideologjia gjenocidale e Millosheviqit" dhe nga politika që solli luftëra, masakra dhe "turp historik".

Lexo edhe:

https://kosovapress.com/article?id=742646

Reagim pati edhe Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës (IKKL), i cili theksoi se deklarata e ministres serbe rikthen në vëmendje diskursin që lidhet me politikat përgjegjëse për luftën, spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit në Kosovë.

Sipas IKKL-së, krimet e kryera gjatë viteve 1998–1999 janë trajtuar në procese gjyqësore ndërkombëtare, ku zyrtarë të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë të regjimit të Millosheviqit janë shpallur fajtorë. Instituti vlerëson se përballja me të kaluarën, pranimi i krimeve dhe kërkimfalja institucionale mbeten parakushte për ndërtimin e besimit dhe paqes së qëndrueshme në rajon.

Ndërkaq opozita serbe ka kërkuar shkarkimin e Paunoviqit nga detyra e ministres.

Ishte Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), parti opozitare në Serbi, që kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të saj, duke e cilësuar deklaratën e saj si gjuhë të urrejtjes dhe një mbështetje të hapur për persekutimin mbi baza etnike.

Sipas kësaj partie, një zyrtare që justifikon dëbimin e njerëzve për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare nuk mund të ushtrojë funksion në Qeverinë e Serbisë. PSG vlerëson se deklarata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se vjen nga ministrja përgjegjëse për administratën shtetërore dhe vetëqeverisjen lokale, institucion që duhet të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët dhe zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026