Faktori ndërkombëtar duhet të ketë vëmendjen e plotë te deklaratat kërcënuese të ish-drejtorit të Shërbimit Inteligjent Serb (BIA), Aleksandar Vulin, ndaj Kosovës dhe liderëve të saj. Me këtë thirrje ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, iu është drejtuar të mërkurën ndërkombëtarëve.
Vulin kishte kërcënuar më parë institucionet e Kosovës, përkatësisht kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se siç ka vepruar Mossadi (shërbimi inteligjent izraelit) në Iran, mundet edhe Serbia në Kosovë. Për këtë ai tha se duhet të angazhohet shërbimi serb.
Ndërkaq, ministri Sveçla përmes një reagimi në Facebook ka thënë se deklarata se “Serbia di ta bëjë këtë” është precedent i rrezikshëm dhe se mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese, transmeton KosovaPress.
Reagimi i plotë i Sveçlës:Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur, kërcënime të armatosura dhe operacione të shpallura kundër aktorëve të konsideruar armiq, dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan.
Është e njohur se Aleksandar Vulin ka pasur marrëdhënie të ngushta politike e institucionale me Rusinë, përfshirë struktura të inteligjencës, si dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic. Për shkak të aktivitetit të tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur në listën e sanksioneve, duke përmendur ndër të tjera lidhje dhe bashkëpunim me aktorë rusë të inteligjencës.
Kjo deklaratë përbën një precedent të rrezikshëm dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit të saj, z. Albin Kurti. Përveç lidhjeve të dokumentuara me Rusinë, Vulin njihet gjerësisht si zë artikulues i qëndrimeve të Presidentit Aleksandar Vucic.
Përpjekjet e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit duhet të kenë vëmendjen e plotë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë.
E as Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin.