Me zhvillimin e ndeshjeve të konkurrencës së femrave ka nisur dje Kampionati i Kosovës në Beach Volley U20, i organizuar nga Federata e Volejbollit e Kosovës.
Pas përfundimit të procesit të verifikimit të ekipeve, takimit informativ dhe tërheqjes së shortit, garueset zbritën në fushë për të zhvilluar ndeshjet e fazës së parë të kampionatit, duke dhuruar përballje konkurruese dhe nivel të lartë loje.
Federata e Volejbollit e Kosovës bëri të ditur se gara është zhvilluar në përputhje me rregulloren e kampionatit, ndërsa të gjitha 16 ekipet pjesëmarrëse kanë përmbushur procedurat e nevojshme të verifikimit dhe licencimit.
“Organizimi për momentin është shumë i mirë. Këtë javë jemi duke zhvilluar garat e grupmoshave U20. Në të dy grupmoshat janë 28 ekipe. Javën e kaluar kishim me grupmoshat U18 ku ishin 34 ekipe. Pak a shumë mund të them që janë pak më pak ekipe për shkak që kombëtarja U17 është në grumbullim, po besoj që kishim pasur hala më shumë ekipe. Interesimi është shumë i madh, sidomos te U18 ka qenë, ashtu edhe në U20”, bëri të ditur Pllana.
Ai shtoi se zhvillimi i beach-volley-t në Kosovë ka shënuar rritje të vazhdueshme viteve të fundit.
“Si çdo kampionat tjetër, presim çdo herë të ngritet beach-volley. Si çdo herë në përgjithësi volejbolli në Kosovë ka shënuar një ngritje shumë të lartë, po ashtu edhe beach-volley. Që nuk e kemi pasur shumë të zhvilluar beach-volley-n në Kosovë, këto vitet e fundit është zhvilluar goxha shumë”, tha Pllana.
Tutje, Pira theksoi se pavarësisht përgatitjeve jo të gjata, synimet e ekipit mbeten të larta.
Gara në kategorinë e vajzave do të vazhdojë edhe sot, ku do t’u bashkohen edhe djemtë, duke e kompletuar programin e kampionatit dhe duke sjellë duele të tjera interesante në luftën për titujt e kampionëve të Kosovës U20 në Beach Volley.