Veprimtari humanitar në Suedi, Omer Zuko, i njohur me bashkëveprimtarët e tij për ndihma bamirësie në të gjitha trevat shqiptare, njoftoi se një kamion me ndihma humanitare me vlerë rreth 300.000 euro për Luginë e Preshevës u kthye mbrapsht në Suedi pas bllokimit të kamionit në doganë në Serbi.
Zuko pohon se kamioni që barte pajisje dhe ndihma për spitalet si dhe për personat me aftësi të kufizuara qëndroi i bllokuar në rrugë rreth 20 ditë.
“Një kamion me ndihma humanitare, i dërguar nga organizata humanitare “Human Bridge” në bashkëpunim me Shoqatën “Liria” nga Växjö e Suedisë, u nis me dokumentacion të rregullt drejt Preshevës. Komuna e Preshevës kishte garantuar pranimin e këtyre ndihmave, të cilat ishin të destinuara për t’u shpërndarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Si person kontaktues dhe garantues i kësaj iniciative humanitare ishte Enkel Rexhepi, në koordinim me Komunën e Preshevës. Ngarkesa përfshinte pajisje dhe ndihma për spitalet, si dhe për personat me aftësi të kufizuara, me një vlerë totale prej mbi 300 mijë eurosh.Në një bisedë telefonike me kryedoganierin Zoran Totić, u kërkua që kamioni të lirohej nga Dogana e Vranjës dhe të vazhdonte rrugën drejt Kosovës. Ai u përgjigj se kjo ishte e mundur, por kërkohej një pëlqim zyrtar nga Komuna e Preshevës, me të cilin komuna do të deklaronte se hiqte dorë nga pranimi i këtyre ndihmave.
Përpjekje në këtë drejtim bëri edhe Enkel Rexhepi, por pa sukses, pasi kryetarja e komunës dhe kabineti i saj ndodheshin në Shqipëri. Edhe pas kthimit të tyre, sipas deklarimeve të marra, nuk u dha pëlqimi i kërkuar.
Kjo është hera e parë që përballemi me një situatë të tillë gjatë më shumë se 10 viteve të angazhimit tonë humanitar. Gjatë kësaj periudhe, kemi dërguar mbi 60 kamionë me ndihma humanitare në Kosovë dhe Shqipëri, pa hasur në pengesa të këtij lloji.
