Kamenica dhe Novobërda përfituan rreth 450 mijë euro nga BE për efiçiencë të energjisë
Lexohet për: 4 min.
projekti-per-energji-210323
1 vit më parë
Linku u kopjua

Janë përfunduar projektet e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike komunale (financimi IPA 2017) në Kamenicë dhe Novobërdë me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Në komunën e Kamenicës është përfunduar projekti për efiçiencë të energjisë në Shkollën e Mesme ‘Ismail Qemali’ në vlerë 170 mijë euro dhe në ndërtesën e komunës në Novobërdë në vlerë rreth 100 mijë euro.

Masat e realizuara në shkollë përfshijnë: Termoizolimin e jashtëm të mureve të ndërtesave (lesh guri në shkollë), ndërrimin e dritareve dhe dyerve me dritare të reja PVC, kaldajën e re për ngrohje qendrore me pelet dhe komponentë të tjerë, si dhe ndriçimin e ri LED.

Ndërkaq, në komunë të Novobërdës masat e zbatuara përfshijnë: Termoizolimin e jashtëm me lesh guri, zëvendësimin e dritareve dhe dyerve me ato eficiente PVC, kaldajën e re për ngrohje qendrore me pelet dhe komponentë të tjerë, si dhe ndriçimin e ri LED.

Shefi i Sektorit të Bashkëpunimit nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Johannes Stenbaek Madsen, derisa është shprehur i lumtur që po finalizojnë projektet në fjalë dhe ka theksuar se efiçenca është një ndër shtyllat kryesore që përbën shtyllën e agjendës së gjelbër të BE-së.

"Efiçienca e energjisë është një ndër shtyllat kryesore që përbën shtyllën e agjendës së gjelbër të BE-së, që bënë çdo gjë që të jetësojë praktikisht integrimin e këtyre komponentave në kuadër të Aki Komunitare. Konsiderojmë se të gjitha këto investime do të sjellin ndryshim që do të jetë i ndikueshëm dhe produktiv, në të gjitha këto komuna dhe me një efikasitet më të madh", ka thënë ai.

Ndërsa, drejtori menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Ahmet Ismaili është shprehur se më këtë projekt përveç që po arrijnë të sigurojnë kursime, po sigurohet edhe një komfort i brendshëm i rëndësishëm.

Zëvendës-udhëheqësja e Zyrës së Bankës Botërore, Elene Imnadze ka deklaruar se janë të kënaqur të shohin ndikimin e projektit të efiçiencës së energjisë dhe energjisë së ripërtritshme në Kosovë.

Po ashtu, ajo ka thënë se me këtë masë krijohen edhe vende të reja të punës.

Këshilltarja e kryeministrit për Çështjet e Komuniteteve, Elizabeth Gowing është shprehur e lumtur me këtë bashkëpunim të ofruar nga BE.

Gowing ka thënë se të gjithë duhet të ndihmojnë në ruajtjen e ambientit, derisa ka shtuar se kjo masë ndihmon në përmirësimin e planetit.

Nënkryetari i komunës së Novobërdës, Bajrush Imeri derisa ka falënderuar për bashkëpunimin, ka thënë se falë këtij projekti edhe faturat e enërgjisë elektrike janë më të ulta.

Granti i BE-së është i kombinuar me 5 milionë euro kredi nga Banka Botërore si dhe bashkëfinancim nga Qeveria me 1 milionë euro/vit.

Në kuadër të “Pakos për Mbështetje të Energjisë” të financuar nga BE-ja prej 75 milionë euro si përgjigje ndaj krizës energjetike, Fondi i Kosovës për efiçencën e energjisë do të zbatojë 20 milionë euro për masat e efiçiencës së energjisë në sektorin e banimit.

BE-ja kërkon më tej të mbështesë Kosovën në zbatimin e strategjisë së re të energjisë (2022-2031), në veçanti në fushën e efikasitetit të energjisë dhe energjisë së rinovueshme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025