Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj iu ka drejtuar ministrit për Punë, Familje dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hotit me një kërkesë në seancën e sotshme të Kuvendit të Kosovës.
Kadrijaj kërkoi nga Hoti të bëj një ligj për mbrojtjen e vlerave të luftës, duke theksuar se i takon si djali i Ukshin Hotit.
“A kemi të drejtë ne si shtet t’i fyejmë këta viktima, ne po bëjmë padrejtësi, e po më vjen keq në çfarë derexhe ka ra kjo qeveri. Për një rezolutë e cila nuk është politike për me e mbrojt vlerat e luftës, kemi kundërshtime se ku të vendoset në rendin e ditës një rezolutë e tillë. Po e lus Andin Hotin si ministër, bëje një ligj për mbrojtjen e vlerave të luftës, të takon, si djali i Ukshin Hotit, që nuk është gjetur”, tha Kadrijaj.
Ajo kërkoi që të tërheqin edhe librin për masakra nga Shkëlezen Gashi, ku ka histori të pavërteta të popullit, e financuar nga ministria e Punëve të Jashtme.“Historia nuk ndryshohet, nuk mundeni me ndryshu me këto linçime e organizime që po i bëni, tërhiqeni edhe librin për masakra të Gashit që ka shkruar të pavërteta që është financuar nga ministria e punëve të jashtme e shpërnda nëpër vende të tjera. Vet shteti i Kosovës ka shpërnda libra me të pavërteta në vende të ndryshme të Evropës, marre”, shtoi ajo.
PDK ka kërkuar në seancën e sotshme një rezolutë për mbrojtje të viktimave të luftës së fundit, pas ekspozitës të Shkëlzen Gashit, ku ka trajtuar masakrat e luftës në vitin 1998-1999.