Mbrojtja e konsumatorëve, informimi i qytetarëve dhe kontrolli i produkteve në treg janë elemente kyçe për garantimin e sigurisë së produkteve. Këto u thanë në tryezën e diskutimit me temën “Produkte të sigurta, konsumator konfidentë” e organizuar nga Departamenti për mbrojtjen e konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI).
E para e këtij dikasteri, Mimoza Kusari-Lila,tha se që nga fillimi i mandatit të saj është rritur komunikimi me konsumatorët përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, me synimin për të lehtësuar mekanizmat e raportimit dhe për të ngritur standardet për bizneset.
Siç tha ajo, Ministria është në fazën finale të krijimit të një platforme për konsumatorët, e cila synon të lehtësojë paraqitjen e ankesave dhe të rrisë transparencën.
Se gjatë vitit të kaluar janë trajtuar më shumë se 200 ankesa që lidhen me datën e skadimit të produkteve që marrin konsumatorët, tha udhëheqësi i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Nijazi Shala.Ai theksoi se para se një produkt të dalë në treg, ai duhet të kalojë në procese të ndryshme kontrolli dhe testimi. Përveç prodhuesve, sipas Shalës, edhe institucionet përgjegjëse kanë një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtjen e qytetarëve nga produktet e rrezikshme.
“Edukimi i konsumatorëve është gjithashtu shumë i rëndësishëm, sepse kur ata janë të informuar për të drejtat e tyre dhe mënyrën se si duhet të zgjedhin produktet, janë më të vetëdijshëm dhe më të mbrojtur. Prandaj, shkollat, mediat, institucionet, sidomos shoqëria civile, duhet luajnë rolin kryesor në informimin dhe edukimin e konsumatorëve”, shtoi ai.
Ndërkohë, Elma Krasniqi nga Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit tha se kontrollet në treg po vazhdojnë me intensitet të shtuar për mbrojtjen e qytetarëve. Sipas saj, nga rreth 3200 ankesa të paraqitura nga konsumatorët, mbi 95 për qind janë trajtuar në përputhje me afatet ligjore.