Gjashtë parti dhe lëvizje serbe nga Kosova janë bashkuar në koalicionin “Së bashku fitojmë” për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë. Duke komentuar këtë bashkim, analisti Dushan Janjiq për gazetën Danas tha se këto zgjedhje do të jenë një test për serbët në Kosovë – nëse do të “presin fundosjen e anijes dhe pastaj të ikin”, apo do ta marrin përgjegjësinë në duart e tyre.
Kështu tha ai derisa la të nënkuptohet se Lista Serbe është në krizë, pavarësisht ndikimit të strukturave Radoiçiq-Veselinoviq.
Ky koalicion përbëhet nga Lëvizja Popullore Serbe, iniciativat qytetare “Veriu për të gjithë” dhe “Rrënjët”, Demokracia Serbe, Aleanca e Kosovës dhe “Fytyra e Re”.
Në deklaratën e parë të këtij koalicioni thuhet se për këtë hap janë vendosur për shkak të seriozitetit të momentit politik dhe pozitës së komunitetit në Kosovë, shkruan Danas, transmeton KosovaPress.E sipas Janjiqit, zgjedhjet që do të mbahen në Kosovë më 7 qershor, janë test për serbët në Kosovë.
“ZSPO do të kishte vetëm mbështetjen e Prishtinës, nuk do të mund t’i rezistonte deri më tani përballjes me Listën Serbe... Duhet synuar hapësira që u krijua pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit... Pra, nëse dikush ka zhvilluar vazhdimisht betejë kundër Listës Serbe, dhe nëse kemi një krizë të dukshme të pushtetit dhe politikës që promovon Lista Serbe, atëherë nuk duhet nënvlerësuar Rashiqi”, ka thënë Janjiq.