Qytetarët dhe bizneset në Kosovë po përballen me një valë shtrenjtimesh të ujit për periudhën 2026-2028. Drejtori i Departamentit të Tarifave, Refik Ramaj, paralajmëron rritje deri 39 për qind për amvisëritë dhe 29 për qind për konsumatorët jo-shtëpiak, ndërsa për ujërat e ndotura rritja shkon deri 25 për qind. Rritja vjen pas shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Ramaj në një intervistë për KosovaPress, thekson se rritja e tarifave është e ndikuar nga disa faktorë kryesorë, siç është shtrenjtimi i energjisë elektrike, zvogëlimi i normës së subvencionimit dhe inflacioni.
Duke folur për tarifat sipas qyteteve, Ramaj tha se në Prishtinë çmimi për ujë ka kaluar nga 0.45 në 0.63 euro, ndërsa për ujërat e ndotura nga 0.08 në 0.12 euro.
“Në Prishtinë ka qenë 0.45 për ujë, tash është 0.63. Për ujerat e ndotura ka qenë 0.08, është bërë 0.12, Prizreni ka qenë 0.40 është bërë 0.56, për ujërat e ndotura 0.15, është bërë 0.19. Peja ka qenë 0.28 për ujë, është bërë 0.39...Gjakova ka qenë 0.39 tash është 0.53..._(Për biznese)për Prizrenin për biznese është 0. 42, nga 0.32, për Pejën ka qenë 0.39, tash 0.51, për Mitrovicën ka qenë 0.55, 0.69, Gjakova ka qenë 0.55 tash 0.67... Kompanitë me aplikacionin tarifor kanë ardhë me kërkesa shumë më të lartë, disa kanë kërkuar 100 për qind rritjen e tarifave, disa më pak, por ne kemi aplikuar norma shkencore, kritere profesionale, kemi ardhe deri tek kjo strukturë”, shprehet ai.
Ndërkaq, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, paralajmëron se rritja e tarifave rëndon mbi sektorin hotelier dhe turistik, që ende po përpiqet të rimëkëmbet nga pasojat e pandemisë. Madje, nuk përjashton edhe mundësinë e mbylljes se disa bizneseve.