Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka reaguar pas raportimeve të disa mediave serbe lidhur me aksionin për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje në pronën e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike "Ibër-Lepenc" në zonën e Liqenit të Ujmanit, duke theksuar se zbatimi i ligjit ndaj ndërtimeve ilegale zhvillohet në të gjithë territorin e Kosovës dhe nuk është i kufizuar vetëm në veri.
Në një postim në Facebook, Islami kujtoi se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë vazhdimisht aksione për largimin e ndërtimeve pa leje në zona të ndryshme të vendit, pavarësisht përkatësisë etnike të pronarëve.
Sipas tij, përpjekjet për ta paraqitur aksionin në Ujman si një veprim të drejtuar kundër komunitetit serb janë të pabazuara dhe nuk përputhen me faktet.
Islami theksoi se në rastin e Ujmanit bëhet fjalë për objekte të ndërtuara në pronë publike të "Ibër-Lepencit", ndërsa pronarët ishin njoftuar paraprakisht për lirimin e tyre.Eksperti i sigurisë theksoi po ashtu se narrativat që e paraqesin këtë aksion si një sulm ndaj një komuniteti të caktuar synojnë ta politizojnë një çështje që, sipas tij, është ekskluzivisht ligjore dhe administrative.
Ai bëri thirrje që opinioni publik të informohet nga burime zyrtare dhe të mos bjerë pre e dezinformatave që, sipas tij, synojnë të krijojnë tensione të panevojshme rreth zbatimit të ligjit në veri të vendit.
“Ekzekutimi i vendimeve kryhet nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me asistimin e Policisë së Kosovës”, ka bërë të ditur ai.