Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në FIFA dhe UEFA ishte e gjatë, e ndërlikuar dhe e mbushur me sfida politike e institucionale. Në një intervistë për KosovaPress, ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka rrëfyer nga afër vështirësitë dhe strategjinë që përdori legjendari Fadil Vokrri për ta dërguar vendin drejt njohjes ndërkombëtare në futboll.
Salihu në rrëfimin e tij thekson se në fillimet e këtij rrugëtimi, Federata nuk kishte një strukturë të mirëfilltë profesionale. Sipas tij, mungesa e kapaciteteve profesionale dhe administrative e bënte edhe më të vështirë përballjen me kërkesat ligjore dhe procedurale të organizatave ndërkombëtare.
Një nga sfidat kryesore ishte mungesa e përgjigjjeve nga UEFA shpjegon Salihu, duke nënvizuar se heshtja ishte një strategji për të shmangur implikimet formale.
“UEFA nuk na është përgjigjur në asnjë shkresë sepse edhe shkresa, përgjigjja në vete ka njëfarë efekti ligjor dhe e kanë ditur mirë” – tha Salihu.Më pas, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, u organizua një takim mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Federatës Serbe të Futbollit. Në këtë takim u diskutua një dokument i rëndësishëm i nënshkruar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ku theksohej se dy palët nuk duhet ta pengojnë njëra-tjetrën në rrugëtimin ndërkombëtar.
Salihu tregon se përveç pengesave ligjore, sfida ishte edhe politike duke shtuar se kjo e bënte procesin edhe më kompleks.
“Prandaj ai rrugëtim ka qenë shumë i vështirë më pak fjalë” – përfundoi Salihu.