Ish-kryetarja e KQZ-së: Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët, kryetarët do të zgjidhen
Lexohet për: 2 min.
Valdete Daka foto Jasir Zeqiri (17)
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka deklaroi se pavarësisht numrit të vogël të votuesve në veri të Kosovës, kryetarët e komunave atje do të zgjidhen, nëse procesi është i rregullt.

“Përsëritje [të zgjedhjeve] nuk do të ketë, veç nëse dëmtohet procesi, atëherë po. Por, në rrethana të rregullta, në rrethana kur qytetarët dalin e votojnë dhe kryejnë detyrën e tyre, mbyllen vendvotimet, numërohen votat... Përsëritje nuk do të ketë”, tha Daka për REL.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila vetë nuk merr pjesë në zgjedhje, ka bërë thirrje për bojkotimin e procesit. Në këtë qëndrim, ajo ka pasur edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar.

“Me këtë mosdalje në zgjedhje, serbët janë duke e përcjellë një mesazh te Qeveria e Kosovës, se ata nuk do t’i pranojnë kryetarët, të cilët dalin nga këto zgjedhje”, tha Daka.

Sipas saj, zgjedhjet janë organizuar dhe po mbahen sipas të gjitha rregullave ligjore.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ftoi më herët qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e votës dhe në këtë mënyrë t’i zgjedhin, siç tha, përfaqësuesit e tyre dhe t’i ndërtojnë institucionet legale demokratike.

Në veri janë rreth 45.000 qytetarë me të drejtë vote për të zgjedhur kryetarët e rinj në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, së bashku me kuvendet komunale në Zveçan dhe Leposaviq.

Të gjitha këto komuna mbajnë lidhje të ngushta me Beogradin, i cili vazhdon të kundërshtojë pavarësinë dhe institucionet e Kosovës./Rel

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025