“Për vota”, qytetarët dhe sindikatat e quajnë të pamjaftueshme rritjen e pagave nga janari
Tema
Lexohet për: 3 min.
12 orë më parë
Linku u kopjua

Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur pagat në sektorin publik nga janari i vitit 2025 ka shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët dhe sindikatat e institucioneve të ndryshme. Ata e konsiderojnë këtë ngritje si të pamjaftueshme dhe e lidhin atë me fushatën zgjedhore. Po ashtu, të njëjtit shprehen skeptik se ky zotim i qeverisë do të zbatohet.

Qytetari Isuf Musliu e quan “katastrofale” vlerën për të cilën janë rritur pagat. Ai shprehet se ky vendim është marrë për të fituar vota.

E qytetari, Enver Leci thotë se rritja e pagave nuk do të vërehet për shkak të rritjes së çmimeve. Ai shprehet i zhgënjyer nga udhëheqja aktuale, derisa potencon se ka pritur një ndryshim rrënjësor të situatës së punësimit dhe të ardhurave. 

Ndërkaq, Bislim Ademi derisa pohon se këto mjete nuk janë të mjaftueshme për punëtorët shëndetësorë dhe sektorëve të tjerë publik, thotë se shteti nuk ka fonde të mjaftueshme për t’i rritur më shumë pagat.

Përveç qytetarëve, edhe sindikatat u shprehën të pa kënaqura me këtë rritje të pagave. Ata konsiderojnë se ky vendim është “lojë e fushatës”. 

Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), Tevide Imeri, në një prononcim për KosovaPress thotë se nuk e ka marrë seriozisht këtë vendim, duke shtuar se ai i përket më shumë fushatës zgjedhore.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë (SBASHK), Rrahman Jashari në prononcimin për KosovaPress e quan ironike  rritje të pagave. Përveç kësaj, ai thotë se kjo mund të jetë vetëm një deklaratë e cila nuk do të zbatohet.

Kryesindikalisti i Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka krahas pakënaqësive të tjera, thotë se kjo rritje është e pamjaftueshme. Sipas tij, tek zjarrfikësit është krijuar një demotivim dhe zhgënjim për mënyrën se si ata trajtohen.

Ndër të tjera, ai përmendi çështjen e statutit të zjarrfikësve, sigurimet shëndetësore, kompensimin e orëve të punës jashtë orarit dhe mungesën e kushteve të punës ndër kërkesat kryesore që duhet marrë parasysh nga niveli qendror.

Në fund të muajit tetor, Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga janari i vitit të ardhshëm të rris pagat për punonjësit e sektorit publikë për 55 euro në muaj, ndërsa nga korriku do të ketë rritje për 110 euro. Kështu pati deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për medie derisa tregoi se vlera e koeficientit mbetet 110 euro, mirëpo sipas tij do të rritet sasia e koeficienteve për një njësi.

https://kosovapress.com/njohesit-e-ekonomise-rritja-e-pagave-ne-kohe-te-zgjedhjeve

https://kosovapress.com/nga-janari-rriten-pagat-per-sektorin-publik

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024