Ofertës turistike të qytetit bregdetar të Ulqinit së shpejti do t’i shtohet edhe Hoteli “Jadran”, një investim dhjetëra milionësh i kompanisë “Royal Company” nga Prishtina. Hoteli i famshëm në një nga vendet më të pëlqyera për kosovarët pritet të shndërrohet në një brend botëror fal investimit 40 milionë eurosh të kompanisë me pronar Arbër Kryeziu.
Për këtë qëllim të premten në Podgoricë, me praninë e zyrtarëve më të lartë të shtetit malazez, u nënshkrua Aneksi IV i kontratës për ndërtimin e këtij hoteli luksoz me pesë yje nga pronari i “Royal Company” dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike malazeze për Menaxhimin e Resurseve Detare, Mladen Mikijelj.
Investimi prej 40 milionë eurosh i “Royal Company” është vlerësuar jashtëzakonisht shumë nga kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të këtij ankesi.
Abazoviq deklaroi se Hoteli “Jadran” do të jetë vlerë e shtuar për Ulqinin duke u rikthyer në një brend botëror.
Pronari i “Royal Company” nga Prishtina, Arbër Kryeziu tha se vlera e investimit do jetë mbi 40 milionë euro dhe premtoi se do të jetë një nga brendet më ekskluzive në botë.
"Sot nënshkruam Aneksin IV të kontratës për të hapur rrugën investimeve në turizëm në detin Adriatik në Ulqin në vendin Jadran të ish-Hotelit ‘Jadran’, investimi do të jetë së paku 40 milionë euro dhe brendi më ekskluziv, një nga brendet më ekskluzive në botë, ndaj ju falënderoj qeverinë, kryeministrin dhe gjithë qeverinë e Malit të Zi", tha Kryeziu.
"Ulqini këtë e ka merituar dhe nuk më mbetet gjë tjetër veçse t'i uroj investitorit fat dhe pres që së shpejti të fillojnë me ndërtimin e një hoteli dhe në një periudhë të ardhshme të kemi jo vetëm një por disa hotele në zonat detare në Ulqin për kënaqësinë e industrisë turistike për kënaqësinë e qytetarëve të Ulqinit dhe për kënaqësinë e mjedisit të përgjithshëm turistik dhe ekonomik në Mal të Zi. Kjo është një ditë e madhe, besoj se vetëm përmes bashkëpunimit cilësor që kemi në ditë si kjo, do të ketë gjithnjë e më shumë në periudhën në vijim", tha Mikijelj.
Kryetari i Ulqinit, Omer Bajraktari, deklaroi se komuna e tij e ka merituar një investim të tillë dhe “Jadran” do të jetë një simbol i turizmit luksoz në të gjithë shtetin malazez.
Nënshkrimi i Aneksit IV të kontratës do të mundësojë investitorit të fillojë punimet përgatitore për ndërtimin e hotelit i cili do të jetë një nga më luksozët në bregdetin malazez i një brendi të njohur globalisht.
Punimet për këtë hotel pritet të nisin brenda pak muajsh ndërsa do të zgjasin 3 deri në katër vjet.