Në mesin e sezonit veror, Shqipëria mbetet një nga destinacionet e preferuara nga shumë turistë të huaj. Edhe në këto ditë të nxehta korriku, Tiranën po e vizitojnë shumë qytetarë europianë.
RTSH bisedoi me turistë të ardhur edhe nga përtej kontinentit, nga Amerika, por edhe me fqinjët italianë.
“Për mua nuk është hera e parë. Kam qenë këtu në vitin 2023. Unë ndihem pjesë e Shqipërisë. Ndihem sikur kam lindur këtu. Unë jetoj në jug të Italisë dhe më duket sikur jemi të njëjtë. Kur hyj në restorant më përshëndesin në italisht. Ndihem e nderuar.”
“Jemi këtu për të bërë një tur në Shqipëri, për të shkuar më pas në Malin e Zi. Do të marrim me vete një kujtim të bukur të këtyre ditëve dhe një konsideratë të madhe për shqiptarët”, thanë disa prej turistëve.“Për mua nuk është hera e parë në Shqipëri, pasi bashkëshortja ime është shqiptare”, tha ai.
Në muajin maj, numri i vizitorëve që kanë vizituar Shqipërinë ka qenë më i lartë. Sipas të dhënave nga INSTAT, numri i vizitorëve që u akomoduan në strukturat turistike në Shqipëri u rrit me 12,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rajoni i Veriut regjistroi rritjen më të fortë të vizitorëve të huaj, nga rreth 47 mijë në mbi 73 mijë, ndërsa edhe rajoni i Jugut shënoi rritje të ndjeshme.