Inspektori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në Mitrovicë me inicialet Q.M., ka dalë të premten para gjykatësit në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, për t’u përballur me kërkesën e Prokurorisë për paraburgim. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.
Së bashku me inspektorin, para kësaj gjykate pritet të dalë sot edhe i dyshuari tjetër me inicialet S.S. nga Novi Pazari i Serbisë, i cili dyshohet për veprën penale të dhënies së ryshfetit. Seanca po zhvillohet e mbyllur për publikun, ndërsa pritet që vendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë për këtë rast të merret në orët e vona të ditës së sotme.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, inspektori i ATK-së në Mitrovicë, dyshohet se ka pranuar shumën e të hollave prej 135 euro nga pala tjetër, në mënyrë që të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.