Inspektorati i Punës u ka bërë thirrje punëdhënësve dhe punëmarrësve që të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë dhe shëndetin në punë gjatë periudhës së temperaturave të larta, me theks të veçantë tek punëtorët që angazhohen në kantierë ndërtimi dhe ambiente të hapura, raporton KosovaPress.
Përmes një njoftimi në Facebook, Inspektorati ka theksuar se temperaturat e larta paraqesin rrezik serioz për shëndetin e punëtorëve, duke kërkuar respektimin e masave të sigurisë dhe kushteve të punës. Në mesin e masave të rekomanduara janë pushimet e rregullta, furnizimi i mjaftueshëm me ujë të pijshëm, mbrojtja nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell dhe organizimi i punës në mënyrë që të minimizohen rreziqet që shkakton vapa.
Po ashtu, është bërë e ditur se Inspektorati Qendror i Punës do të vazhdojë me inspektimet dhe monitorimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi. Sipas njoftimit, ndaj subjekteve që nuk respektojnë masat e sigurisë dhe shëndetit në punë do të ndërmerren veprimet përkatëse ligjore.
“Siguria dhe shëndeti në punë janë përgjegjësi e përbashkët dhe duhet të mbeten prioritet në çdo kohë”, thuhet në apelin e Inspektoratit të Punës.