INDEP shpreh optimizëm për tregun e përbashkët rajonal
Lajme
Lexohet për: 2 min.
4 javë më parë
Linku u kopjua
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka mbajtur Seminarin “Roli i tregut të përbashkët rajonal (CRM) në të ardhmen ekonomike të Kosovës dhe integrimin evropian në 6 shtete të Evropës Juglindore”.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore, Burim Ejupi u shpreh optimist se pas mbajtjes së Samitit të Berlinit për herë të dhjetë, do të ketë përmirësime për një treg të përbashkët rajonal.
Ndërkaq, drejtori Kërkimor i CDI dhe Koordinator i Forumit të Connectivity Tirana, Ardian Hackaj përmes një videolidhje online potencoi se objektivi kryesor i këtij turneu rajonal është bashkimi me kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Përveç kësaj, ai tha u theksua roli që kanë organizatat e shoqërisë civile jo vetëm për monitorimin, por edhe në angazhimin dhe takimin e agjendave të bashkëpunimit rajonal.
Integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është prioritet i Gjermanisë, tha këshilltarja e Lartë e Përfaqësuesit Special të Qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Valeska Esch në një fjalë rasti përmes një videolidhje online.
Ajo potencoi se tregu i përbashkët rajonal ka për qëllim të arrijë një treg të integruar në rajon që sipas saj “vërtetë do t'i ngjajë tregut të përbashkët të BE-së”.
Ndërkaq, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jeton Zulfaj u shpreh se përvjetori i dhjetë i Samitit të Berlinit ishte sukses, për shkak se u zhbllokua edhe CEFTA.
Zulfaj tha se marrë parasysh që tregu i përbashkët rajonal është i lidhur drejtpërdrejt me planin e BE-së për rritje, do të ketë më shumë përpjekje për kryer punë brenda rajonit.