Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pasi një granatë dore u hodh sot në afërsi të liqenit te Ujmanit, duke thënë se institucionet e sigurisë do të zbulojnë aktorin apo aktorët e këtij sulmi kriminal dhe do t’i sjellin para drejtësisë.
Tash për nuk dihet se kush ka hedhur granatën e dorës, si pasojë e së cilës u dëmtuan dy vetura, njëra me targa vendore dhe tjetra me targa amerikane, por fatmirësisht nuk pati lëndime në njerëz, rreth orës 14:30 në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”, në rrugën magjistrale te liqeni i Ujmanit.
“Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervozizmi u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjo është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka theksuar se nuk ka alternativë përveç sundimit të ligjit dhe rendit publik.