Tërheqja nga Kontrata Kolektive në mënyrë të njëanshme dhe pa paralajmërim nga Qeveria aktuale e Kosovës, me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Federatës së Shëndetësisë, përbëjnë cenim të të drejtave sociale të garantuara me legjislacionin në fuqi në Kosovë dhe sipas standardeve të Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Kështu u tha gjatë prezantimit të publikimit të raportit “Mungesa e kontratave kolektive- Dështimi për të siguruar dialog social dhe mbrojtje kolektive të punëtorëve” nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) së bashku me BSPK-në dhe SBASHK-u.
Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj ka thënë se kjo gjendje pengon ndjeshëm sigurinë dhe drejtësinë sociale në vend dhe dialogun social. Ai ka paralajmëruar edhe padi ndaj Ministrisë së Financave.Ndërsa, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli theksoi se si BSPK, kanë dërguar rreth 50 komunikata Qeverisë Kurti, për dialog social dhe konstituim të Këshillit Ekonomiko Social, por siç tha ai ‘pa sukses’.
Po ashtu, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj konsideron se Qeveria Kurti me qëllim ka një qasje armiqësore ndaj sindikatave.