I sëmurë nga paraliza kërkon ndihmën e qytetarëve për familjen 6-anëtarëshe
Tema
Lexohet për: 5 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua
I sëmurë nga paraliza kërkon ndihmën e qytetarëve për familjen 6-anëtarëshe
Muret e zbrazëta e të ftohta, tashmë janë shndërruar në një errësirë për babanë e katër vajzave të vogla. Oborri i vogël i shtëpisë tashmë është një qetësi për shpirtin e tij.
Fjalët e kërkesat nga vajzat e tij, janë ato çka po e mërzisin, Agron Vitinë, i cili çdo herë u thotë se “do të bëhet mirë, babai ua plotëson dëshirat”, duke u zgjuar çdo ditë me shpresën e njëjtë se një ditë do të zbardhë dita edhe për familjen e tij.
Përveç kësaj shprese, Vitia shpreson që sëmundjet e tij, gruas e vajzës 9 muajsh me zemër të dobët të largohen. I njëjti, po vuan nga sëmundja e mëlçisë dhe paraliza, e cila iu ka rikthyer pas dy vjetësh, por ai nuk ka para për blerjen e barnave të nevojshme.
Agron Vitia nga Sllovia e Lipjanit ka nevojë për ndihma financiare për blerjen e ushqimit, drurëve për stinën e dimrit dhe veshmbathje për fëmijë.
Edhe pse para dy vjetësh një bamirës ia kishte ndërtuar një shtëpi, i njëjti me 150 euro që i merr nga ndihma sociale nuk po mund t’ia dalë të plotësojë kushtet e jetesës për familjen e tij. Vitia tregon se ka kërkuar ndihmë edhe nga komuna e Lipjanit, por e njëjta nuk po e përkrah.
“Jam i sëmurë prej mëlçisë dhe veshkës, cistin e kam në veshkë. Jemi gjashtë anëtarë, kam katër vajza, kemi nevojë për ndihmë ushqimore, për financa. Më duhet të shkoj te mjeku për kryerjen e analizave, të cilat po kushtojnë 30 euro deri në 40 euro...Me një social të vogël prej 150 eurosh nuk po mund t’ia dal, fëmija e vogël. 1:22 Kam jetuar në një shtëpi të vjetër prej 2003 deri më 2022, në fund të 2022-së një bamirës ma ka ndërtuar shtëpinë... Po më kushton edhe rruga deri te mjeku, sepse e kemi larg, nevojiten tri transporte për të paguar...Deri më tash nuk kam asgjë prej shtetit. Kam kërkuar ndihmë edhe prej komunës, por më kanë thënë se nuk kanë buxhet,” tha Vitia.
Vitia tregon se nuk po mund t’i plotësojë kushtet elementare të jetesës për vajzat e tij.
“Fëmijët po kërkojnë disa sende që dëshirojnë t’i blejnë, por unë nuk kam. Më duhet t’iu them se bëhet mirë, se do t’ua blej. Po më dhimbsen shpesh, po dal deri jashtë, po mërzitem, edhe sëmundjen që e kam nuk mund të punoj, po më vjen gjynah...Para 20 vjetësh kam qenë i sëmurë, i paralizuar, gati kështu kam qenë. Dy vjet më ka zgjatur sëmundja, u shërova dhe fillova të punoj në pastrimin e qytetit, u martova, më fali zoti fëmijë, por që dy vjet prapë më është kthyer kjo sëmundje... Po kushtojnë barnat. Njëra prej tyre për dy muaj po duhet ta blej 40 euro,” ka thënë ai.
Vitia tregon se vajza e tij e vogël vuan nga zemra dhe se i nevojitet të paguajë për kontrolle mjekësore.
E shoqja e Agronit thotë se vuan nga sëmundja e venave në këmbë, por e njëjta ka lënë vetën anash duke u kujdesur për të shoqin dhe katër vajzat e vogla. Ani pse vajza më e madhe është pesë vjeçe, po kujdeset për foshnjën e vogël, pasi që e shoqja duhet ta shoqërojë Agronin gjatë vizitave për kontroll mjekësore.
“Vajzën kur ma ka falë Zoti, ia kanë bërë incizimin dhe kanë thanë se e ka zemrën e dobët, është e sëmurë. Kemi bërë një terapi pas një viti, duhet t’ia bëjmë edhe një… Kushton deri në 50 euro. Mjeku i di kushtet tona të jetesës dhe ka bërë një zbritje në çmim. 8:58 Unë i kam venat, krejt këmba më mpihet, nuk mund as të çohem, më duhet me zor të shkoj. Boll vështirë me gjëra ushqimore, këto (vajzat) nuk po dinë, janë të vogla, po lypin, po iu them, hajt se nëna ua jep. Nuk kanë mbathje, nuk kam mundësi t’iu blej… Vajza e madhe përkujdeset për vajzën më të vogël,” ka thënë ajo.
Vitia thotë se ka nevojë për ndihma dhe shpreson që të gjithë ata që kanë mundësi, ta kontaktojnë në numrin e telefonit 044-950-385. /A.Shala/