Tre persona kanë mbetur të lënduar nga një incident i armatosur që ndodhi mbrëmë në lagjen Mati të Prishtinës.
Dy nga ta, njëri si doras i dyshuar, po trajtohen në QKUK nën mbikëqyrje të policisë. Dorasi u kap pas një kohe arratie, me plagë në këmbë. Ndërsa njëri nga dy viktimat që është në spital, sipas mjekëve, është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në raportin 24 orësh të policisë për kryeqytetin, raportohet edhe një arrestim të një personi që i shkaktoi lëndime një tjetrit, për shkak të të cilave këtij të fundit iu desh trajtim mjekësor. Incidenti ka ndodhur në rrugën “Besëlidhja”, derisa në rrugën “Ahmet Krasniqi”, dje herët më mëngjes thuhet se në një pikë kontrolli, policia gjeti tek i dyshuari mashkull kosovar një karikator me 14 fishekë, të cilin e sekuestroi. I dyshuari është sjellë në stacion policor për intervistim dhe pas inicimit të rastit, me urdhër të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.