Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti pranon se do të ishte i gatshëm ta merrte postin e presidentit, vetëm në rast se partitë politike nuk mund ta gjenin zgjidhje tjetër.
Emri i tij ishte diskutuar si kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje, siç thotë ai, për të dalë nga ngërçi, por që ishte refuzuar nga partitë tjera.
“Unë do të isha i gatshëm qysh po më pyet që tri herë, si emër vetëm nëse krejt partitë politike konsiderojnë që s’po gjejmë një zgjidhje tjetër, nëse e gjejnë ‘udha e mbarë’ sepse unë jam shumë i vullnetshëm të punojë në këtë ministri dhe t’i çojë përpara objektivat. Unë sinqerisht bëjë një lutje që partitë politike, të gjitha në Republikën e Kosovës të krijojnë politika afatgjate, strategjike dhe jo sot për nesër. Po gabojnë shumë se po i qojnë qytetarin pesë herë dhe t’i del në rrugë dhe me secilin qytetar që bisedon e kanë të njëjtin problem. Pesë herë po e çon në zgjedhje, po e demoralizon deri në pikë të fundit dhe duke e ditur herën e fundit çka ndodhi me vota që nuk ka as tre muaj. Dhe po hijnë në një precedent të rrezikshëm që nuk ua garanton kërkush hiç që presidentin do të mund ta zgjedhin pas zgjedhjeve sepse nuk ka asnjë parti politike në Kosovë që mendoj që aktualisht mund të merr 81 deputetë. Të gjitha sondazhet nuk po thonë që do të ketë një ndryshim të madh për opozitën, bile po thonë që do të ketë ndryshim për LVV-në”, përfundon ai.
Zevendëskryeministri dhe njëherit edhe ministri për Punë të Jashtme, Glauk Konjufca dhe deputetja Fatmire Mulhaxha Kollçaku janë kandidatët zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit.
“Nëse më pyet Glauk Konjufca këtu dhe Andin Hoti këtu, unë kë e votoj, unë të them Glauk Konjufcën. Unë vet e kisha votuar Glauk Konjufcën përballë meje sepse ka përvojë më të madhe politike, institucionale, e tjera. Mirëpo, janë rrethanat qysh janë rrethanat unë nuk e di qysh do të gjendet zgjidhja, unë e di që po krijohet një precedent i rrezikshëm, i gabueshëm i kalkulueshëm shumë gabim prej partive politike sidomos opozitare në Kosovë, me idenë që po shkojmë në zgjedhje dhe po ndryshon rezultati. Qysh do qoftë që do të ndryshojë rezultati do të sjell probleme shumë të mëdha Kosovës, se sa kemi sot për një president”, shton ai.