Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të mërkurën se ushtria e tij po përgatitet të hyjë në Rafah në Rripin jugor të Gazës, duke shtuar se "kjo do të merr pak kohë". Në një fjalim televiziv të transmetuar përmes llogarisë së tij zyrtare në X, Netanyahu filloi duke përmbledhur detajet e një bisede telefonike që pati me presidentin amerikan Joe Biden të hënën e kaluar. “Në fillim, ne ramë dakord që Hamasi duhet të eliminohet. Por gjatë luftës, nuk është sekret, ka pasur mosmarrëveshje mes nesh për mënyrën më të mirë për të arritur këtë qëllim”, tha Netanyahu.
Në fillim, ai i tha presidentit se mposhtja e Hamasit kërkon që ushtria izraelite të hyjë në Rripin e Gazës dhe se në bisedën e tyre më të fundit, ai i tha atij se përfundimi i fitores kërkon që ushtria të hyjë në Rafah për të eliminuar mbetjet e batalioneve të Hamasit. Duke iu drejtuar izraelitëve, kryeministri tha se ai kishte miratuar tashmë planin operacional të ushtrisë dhe se ata së shpejti do të miratojnë planin për evakuimin e civilëve nga zonat e betejës. “Ndërsa po përgatitemi të hyjmë në Rafah, dhe kjo do të marrë pak kohë, ne po vazhdojmë të operojmë me forcë të plotë. Ne po vazhdojmë të operojmë në Khan Yunis, në kampet në qendër, në eliminimin dhe kapjen e zyrtarëve të lartë të Hamasit siç kemi bërë sapo në Shifa (spital) dhe në eliminimin e qindra ‘terroristëve’”, theksoi kryeministri izraelit.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin u vranë rreth 1.200 izraelitë. Gati 32.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe më shumë se 74.000 janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave. /AA